Ilustrim

Policia arreston të dënuarin për dorgë dhe falsifikim

Policia e Shtetit ka njoftuar se ka arrestuar në Tiranë një person të dyshuar, pasi që i njëjti ishte i dënuar nga drejtësia italiane për veprat penale “trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “falsifikimi i dokumenteve”.

Policia ka njoftuar se operacioni për arrestimin e të dyshuarit është zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Interpol Tirana.

“Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve me ZQK Interpol Tirana, në rrugën “Myslym Shyri”, ka bërë të mundur lokalizimin dhe arrestimin provizor të shtetasit Albert Bulcari alias Mirash Hani”, thuhet në njoftim.

Policia ka bërë të ditur se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit në Torino në Itali e ka dënuar me pesë vjet, tre muaj e 7 ditë burg për veprat penale “trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “falsifikimi i dokumenteve”, parashikuar nga Kodi Penal italian.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, do të vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.