Policia arreston pesë persona, sekuestron rreth 2.5 kilogramë drogë

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë e Policisë ka arrestuar pesë persona të dyshuar për posedim të narkotikëve.

Në operacionin e quajtur “MARSI” nga antidroga e Policisë rreth orës 18:15 në Prishtinë Policia ka arritur të ndalojë katër persona të dyshuar të cilët ishin duke shkëmbyer substancën narkotike të dyshuar e llojit marihuanë me peshë 114 gramë.

Në komunikatën e Policisë thuhet se substanca është gjetur tek i dyshuari me inicialet A.H. ndërsa tre personat e tjerë dyshohet se kishin qellim blerjen e substancës.

Gjithashtu është kryer kontrollimi i banesës së të dyshuarit dhe gjatë kontrollimit janë gjetur dhe konfiskuar 2 kg 158 gr. substancë e dyshuar narkotike të llojit marihuanë dhe 1 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë.

Lidhur me rastin, sipas Policisë, është kontaktuar prokurori kujdestar i Departamentit të Krimeve të Rënda dhe me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake është bërë kontrollimi i banesës se dytë ku është gjetur dhe konfiskuar 240 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.

Në cilësi të provave materiale Policia ka konfiskuar: Substancë e dyshuar narkotike të llojit Marihuanë gjithsej: 2 kg 512 gr, substancë e dyshuar narkotike të llojit kokainë 1 gram, dy peshore digjitale, katër telefona celularë dhe gjashtëqind e shtatëdhjetë euro.

Tutje, në komunikatë theksohet se lidhur me rastin, me urdhër të organeve të drejtësisë është realizuar edhe kontrollimi i një shtëpie në Gjilan, por nuk është gjetur asgjë e dyshuar.

Me vendim mbi ndalimin, personave, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve, kurse rasti vazhdon të hetohet nga sektori qendror i antidrogës së Policisë së Kosovës.

Sipas Policisë, një orë më vonë hetuesit e antidrogës në një rast tjetër po ashtu në Prishtinë kanë arritur ta arrestojnë edhe një person tjetër të dyshuar (K.A.) për veprën penale shitblerje e  narkotikëve dhe të konfiskohen dëshmi relevante për rastin.