Ilustrim

Policia arreston një person për inskenim të aksidenteve të trafikut

Policia ka njoftuar se ka arrestuar personin me inicialet G.B. (23), të dyshuar për inskenim të aksidenteve të trafikut në Ferizaj.

Sipas Policisë, i arrestuari dyshohet se me qëllim të përfitimit material ka keqpërdorur sigurimet e  veturave, duke inskenuar aksidente në trafik me vetuar të marra me qira.

G.B, sipas Policisë, më 08.12.2024, tek rrethrrotullimi që të dërgon në rrugën “Rexhep Bislimi” në Ferizaj, me veturë ka shkaktuar aksident komunikacioni rrugor dhe ka raportuar se janë lënduar edhe dy bashkudhëtarët e tij.

“Hetuesit rajonal nën autorizim të prokurorit të shtetit i kanë zgjeruar hetimet dhe në bazë të shikimit të kamerave të sigurisë në vendin e aksidentit të raportuar, dyshohet se qëllimisht shoferi e rritë shpejtësinë e veturës, duke e goditur një veturë tjetër”- thuhet në njoftim.

Sipas Policisë, pas hetimeve, ka rezultuar se ai dyshohet se është përfshirë në 19 aksidente të komunikacionit rrugor.

“Gjatë zhvillimit të hetimeve, hetuesit rajonal kanë siguruar të dhënat shtesë se i dyshuari G.B në periudha të ndryshme ishte përfshirë në 19 aksidente të komunikacionit rrugor, 10 prej tyre në rreth rrotullime dhe kryesisht si viktimë ( i lënduar) i rasteve, ndërsa edhe dy persona tjerë (pasagjerë), në disa raste të këtyre aksidenteve dyshohet se kishin inskenuar rastet se janë lënduar”- ka thënë Policia.

I dyshuari, sipas Policisë, në të gjitha rastet kishte përdorur veturat që i kishte marrë me qira.

Policia thotë se i dyshuari pas intervistimit është ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore.