Policia arreston "kërcënuesin", Rama mohon të jetë kërcënuar

Policia njoftoi se më 23.05.2024 ka arrestuar një qytetar me inicialet B.T., nën dyshimet se ka kërcënuar kryetarin e Komunës dhe kryesuesin e Kuvendit Komunal në Prishtinë.

Në një video të shpërndarë në rrjete sociale, B.T. dëgjohet duke thënë: “në qoftë se nuk e shtini me të 24-tin në rend dite planin urbanistik për Lagjen Kalabria po jau dha besën në emër të banorëve të Lagjes Kalabria që nuk kena me ju lënë me mbajt më seancë … kallxona çka keni me bë ose kena me e kall Kuvendin e Komunën me krejt komplet familjet edhe krejt në burg kena me hi”.

Në një reagim, sot më 24.05.2024, kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama ka thënë se nuk ka pasur asnjë kërcënim dhe se raportimet e tilla nuk janë të sakta.

“Mediet kanë raportuar një kërcënim ndaj meje si Kryetar i Kryeqytetit. Dua të sqaroj se nuk ka pasur asnjë kërcenim ndaj meje dhe se raportimet e tilla nuk janë të sakta”- tha ai.

Por, vet Rama pas deklarimit të qytetarit kishte thënë se nuk i pranon kërcënimet.

“Nuk i pranoj asnjë nga këto kërcënime. Kërcënimet janë të papranueshme”- kishte deklaruar ai.

Ndërkohë, sot (24.05.2023) në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës thuhet se është arrestuar një person pasi kishte kanosur kryetarin e kryeqytetit dhe kryesuesin e Kuvendit Komunal.

I dyshuari sipas njoftimit të Policisë me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

“Komuna e Prishtinë  08.05.2024 – 15:00. Më 23.05.2024 pas hetimeve të zhvilluara është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar me dyshimin se i njëjti gjatë zhvillimit të një diskutimi lidhur me planin rregullues të një lagjeje të kryeqytetit, kishte kanosur dy zyrtarë të KK Prishtinë (kryetarin dhe kryesuesin e Kuvendit Komunal). I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”- thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

KALLXO.com mësoi mbrëmë, më 23.05.2024, se një i person është arrestuar në Prishtinë pasi dyshohet se kërcënoi gjatë një seance të Kuvendit Komunal të mbajtur më 08.05.2024, kryetarin e kryeqytetit dhe kryesuesin e Kuvendit Komunal.

Dosja që ka siguruar KALLXO.com tregon se në bazë edhe të një incizimi që është publikuar, i dyshuari kishte marrë fjalën në seancën e Kuvendit Komunal dhe pretendohet se aty e ka bërë edhe “kërcënimin”.

Në bazë të dokumentit që ka siguruar KALLXO.com i dyshuari kishte pranuar veprën penale.