Policia arreston dy të rinj në Vushtrri, u gjen narkotikë e municion të kallashnikovit

Policia në Vushtrri ka arrestuar dy të dyshuar për posedim të narkotikëve dhe armëve pa leje.

Sipas njoftimit të Policisë, të dy të arrestuarit dyshohet se kanë shpërndarë substanca narkotike në një lokal në Vushtrri dhe në rrugët në afërsi të lokalit.

Hetuesit policor kanë kërkuar nga një person dokumentet e identifikimit mirëpo i njëjti ka filluar të ikë nga policia, mirëpo është arritur që pas pak kohe personi të arrestohet në sheshin e qytetit nga ana e zyrtarëve policor. Sipas policisë, pas kontrollimit, tek ai është gjetur një cigare që dyshohet të jetë substancë narkotike, një mulli për bluarjen e substancave narkotike, dy qese të vogla që dyshohej se brenda kishin substanca narkotike si dhe disa fletëza për mbështjelljen e substancave narkotike.

Në të njëjtin lokacion, gjatë kontrollit të një personi tjetër, policia ka gjetur në xhepin e tij një sasi municioni prej dhjetë(10) fishekësh të kalibrit 7.62 mm që dyshohet se i përkasin armës AK-47. Policia ka arrestuar personin dhe ka realizuar kontroll edhe në vendbanimin e tij.
Policia ka kontrolluar edhe persona tjerë dhe janë gjetur disa thika të vogla mirëpo me udhëzim të prokurorit nuk iniciohen raste. Të gjitha sendet e gjetura janë konfiskuar dhe do të procedohen si prova materiale.

Personat e dyshuar E.S., 23 vjeçar dhe Sh.P-21 vjeçar janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve. Në lidhje me këto raste është njoftuar prokurori kujdestar i cili ka udhëzuar që personat të lirohen në procedurë të rregullt ndërsa ndaj tyre të iniciohen rastet për dyshimin e kryerjes së veprave penale. Ndaj personit të parë është iniciuar rasti:,, Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge” ndërsa ndaj personit të dytë është iniciuar rasti: ,,Mbajtje ne pronësi , kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.