Foto Ilustrim: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Policia arreston dy persona për vrasjen e 22 vjeçarit në Mitrovicë që ndodhi në shkurt

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për vrasjen e 22 vjeçarit M.K., në Mitrovicë e cila kishte ndodhur më 12 shkurt.

Policia ka njoftuar se dy të dyshuarit L. S. 31 vjeçar dhe V.S., 25 vjeçar, ishin në kërkim që nga muaji shkurt.

“Dy të dyshuarit kohë më parë, janë shpallur në kërkim policor si të dyshuar për veprën penale “Vrasje e rëndë”, e ndodhur më datën 12 shkurt 2021, në rrugën “Bislim Bajgora” në Mitrovicën e Jugut, ku si pasojë e plagëve të marra nga arma zjarrit ka vdekur viktima M. K., i moshës 22 vjeçare”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Si prova janë sekuestruar dy armë të shkurta, të llojit pistoleta të cilat dyshohen të jenë përdorur në veprën penale ‘Vrasje e rëndë’.

Pas intervistimit me aktvendim të prokurorit të rastit, dy të dyshuarve u është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.

Më 12 shkurt të këtij viti, M.K., kishte vdekur si pasojë e plagëve të marra nga disa të shtëna me armë.

KALLXO.com ka raportuar se vrasja në rrugën, ‘Bislim Bajgora’ në Mitrovicë ngjarja kishte ndodhur në një lokal të ushqimit të shpejtë në Mitrovicë, ndërsa të shtënat me armë rrodhën pas një kacafytjeje mes disa personave.

Nga ngjarja një person mbeti i vdekur ndërsa dy të tjerë ishin plagosur.

Vrasja e plagosjet në Mitrovicë, dyshohet se ndodhen pas një kacafytje