Policia arreston dy persona, iu gjetën 75 fishekë të pushkës së gjuetisë

Policia e Kosovës njofton se janë arrestuar dy persona për përfshirje në veprën penale import, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitje të paautorizuar të armëve apo materieve plasëse.

Sipas njoftimit, Policia kufitare gjatë zbatimit të planit operativ “Ditët e veprimit të përbashkët 2021” kanë dërguar për kontroll në “vijën e dytë” një veturë me targa vendore që vinte nga Serbia për në Kosovë.

Policia njofton se kjo ka ndodhur gjatë kontrollit të personave dhe automjeteve në pikën kufitare Dheu i Bardhë.

“Gjatë kontrollit të detajuar të veturës, janë gjetur 75 (shtatëdhjetë e pesë) copë fishek të pushkës së gjuetisë të kalibrit 12/70, për të cilët drejtuesi i automjetit Q.S., (viti i lindjes 1999, mashkull kosovar) nuk posedonte leje dhe nuk i kishte deklaruar se i kishte në veturë”, njofton Policia.

Gjatë kontrollit të shtëpisë dhe objekteve përcjellëse të të dyshuarit në Karaçevë të Epërme të Kamenicës, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një pushkë të gjuetisë, 47 copë fishekë dhe një armë të ftohtë. Policia me këtë rast ka intervistuar edhe një të dyshuar të dytë A.S., për përfshirje në veprën penale të lartcekur.

Sipas Policisë, me aktvendim të prokurorit rasti vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt.