Policia arreston 33 vjeçarin për më shumë se 30 vjedhje në Prishtinë

Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e të dyshuarit për përfshirje në më shumë se 30 raste të vjedhjeve të rënda në Prishtinë.

Zëdhënësja e policisë, Florie Ahmeti ka konfirmuar për KALLXO.com se i arrestuari është arrestuar gjatë ditës së djeshme nga policia.

“I arrestuarit është L.R, 33 vjeçar. Deri më tani hetuesit policor kanë siguruar dëshmi se i njëjti dyshohet të jetë përfshirë në më shumë se 30 raste të vjedhjeve të rënda”, ka thënë Ahmeti.

Sipas Ahmetit, i arrestuari dyshohet se ka kryer vjedhjet e rënda në zona të ndryshme të rajonit të Prishtinës.

“Aktualisht në koordinim me prokurorinë përkatëse po kryhen të gjitha procedurat e nevojshme policore”, ka thënë Ahmeti.

Arrestimi i 33 vjeçarit është raportuar edhe në raportin 24 orësh të policisë, ku thuhet se i dyshuari është arrestuar në flagrancë pas pranimit të informacionit nga policia për  një vjedhje të raportuar në brenda një lokali në Prishtinë.

Gjatë kontrollit të policisë, tek i dyshuari janë gjetur një çantë e zezë në të cilën kishte pasur një palë dorëza, një maskë të zezë dara për prerje të shufrave të metalit, pajisje të tjera si dhe një kuletë me para të imëta që dyshohet se   kishte vjedhur në lokal.

I dyshuari, pas intervistimi më vendim të prokurorit është dërguar më mbajtje për 48 orë.