Policia arrestoi mbi 20 persona që s`e respektuan orën policore

Policia e Kosovës ka arrestuar mbi 20 persona gjatë ditës së djeshme të cilët nuk kanë respektuar vendimet e institucioneve vendore për parandalimin e përhapjes së pandemisë.

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës thuhet se dje janë arrestuar tre persona në fshatin Bernicë të Epërme të Prishtinës, të cilët në orën 22:30 janë gjetur duke mos respektuar vendimin për parandalimin e epidemisë.

Një arrestim tjetër për arsyet e njëjta ka ndodhur në qendër të Prishtinës si dhe një tjetër në Fushë Kosovë.

Poashtu të arrestuar ka pasur edhe në qytetet e Prizrenit, Gjakovës, Suharekës, Rahovecit e Malishevës.

Me urdhër të prokurorit të gjithë të dyshuarit janë liruar me procedurë të rregullt.

Deri të premten ora policore ishte nga 10:00 deri 16:00 si dhe nga 20:00 deri në 06:00 të mëngjesit.

Ndërsa, që nga e shtuna, Qeveria e Kosovës e ka ndryshuar këtë masë, duke kufizuar lëvizjet e njerëzve dhe veturave nga ora 17:00 deri në 06:00 të mëngjesit.