
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com. Ilustrim
Policia apelon për kujdes maksimal dhe shmangie të djegies së fushave dhe pyjeve në rajonin e Ferizajit
Policia Rajonale e Ferizajit ka njoftuar se ka marrë të gjitha masat e nevojshme dhe ka angazhuar personel të mjaftueshëm për menaxhimin e rasteve të zjarreve në rajonin e Ferizajit.
Sipas njoftimit, Policia e këtij rajoni po punon “në parandalimin e zjarreve, duke koordinuar aktivitetet me institucionet lokale dhe agjencitë përkatëse”.
Policia njofton se gjatë javës së kaluar janë raportuar disa incidente zjarresh në këtë rajon – duke përfshirë Ferizajin, Kaçanikun, Shtërpcën, Shtimen dhe Hanin e Elezit.
“Aktualisht, në rajonin e Ferizajit nuk ka asnjë vatër aktive apo lokalitet të përfshirë nga zjarret. Megjithatë, Policia apelon te qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin djegien e hapësirave fushore dhe pyjeve, pasi pasojat mund të jenë të rënda dhe të pakthyeshme.” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 10.03.2025.
Policia ka theksuar se do të jetë e pakompromis ndaj kujtdo që, me qëllim apo nga neglizhenca, shkakton zjarrvënie.
“Të gjithë personat të cilët kryejnë zjarrvënie të qëllimshme ose për shkak të pakujdesisë do të ndiqen penalisht. Falënderojmë qytetarët për bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm dhe i ftojmë që, sa herë që kanë informacione rreth personave që me dashje shkaktojnë zjarrvënie, të njoftojnë menjëherë Policinë në Stacionin më të afërt, ose përmes aplikacionit digjital ‘Lajmëro Policinë’. Numrat kujdestarë për raportim janë: 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406.” – ka thënë Policia.
Sot, më 10.03.2025, drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Genc Metaj, në orën 13:00 do të mbajë Konferencë për media lidhur me situatën aktuale të zjarreve të hapura fushore/malore.
Në anën tjetër, më 09.03.2025, KALLXO.com raportoi se një zjarr kaploi malet e Deçanit.
Sipas kryetarit të Deçanit, Bashkim Ramosaj zjarri dyshohet se ishte shkaktuar pa qëllim nga qytetarët, të cilët kanë frekuentuar zonat malore të asaj ane.
“Po besoj faktori është njeriu, pakujdesia. Është dalë dikush me shëtit, kështu po supozojmë, edhe ka ba piknik, edhe e ka lënë zjarrin ndez dhe me siguri është përhap prej tyre.” – kishte thënë Ramosaj.