Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Policia anulon gjobat që u shqiptoi çiftit për puthjen në publik, e procedon rastin në gjykatë

Dy gjoba në shumë totale prej 900 eurove që u ishin shqiptuar dy personave që ishin puthur në publik, e të cilët pretendonin se ishin çift, janë anuluar nga Policia, ndërsa dy fletëparaqitje të reja janë proceduar në Gjykatën për Kundërvajtje.

Gjobat ishin shqiptuar nga 450 euro për secilin prej personave, ndërsa policia te përshkrimi i kundërvajtjes, të cilën e kishte siguruar KALLXO.com, kishin thënë se “i njëjti bënë sjellje të pahijshme duke u puthur në publik edhe pse i është tërhequr vërejtja disa herë“.

Për shqiptimin e gjobës nga 450 euro për të dy personat, policët janë thirrur në dispozitat e nenit 6 të Ligjit për rendin dhe qetësinë publike.

Një mori reagimesh u ngritën në publik, nëse kjo gjobë do duhej të shqiptohej për puthjen, e cila sipas palëve kishte ndodhur në afërsi të një klubi të natës në Prishtinë.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga Policia e Kosovës në lidhje me anulimin e këtyre gjobave.

Në një përgjigje për KALLXO.com, nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës thuhet se anulimi i gjobave është bërë duke marrë parasysh kompetencën lëndore.

“Në lidhje me këto fletëparaqitje është njoftuar edhe avokati i autorizuar i kundërvajtësve, ku i është dhënë edhe kopja e dedikuar për palët”, thuhet në përgjigjet e Policisë së Kosovës për KALLXO.com.

Policia ka thënë se në Komisionin për Vendosje, si organ i shkallës së dytë në procedurën kundërvajtëse janë pranuar dy ankesa në lidhje me tiketat.

“Të njëjtat janë regjistruar, janë protokolluar dhe nga Komisioni për Vendosje do të zgjidhen brenda afatit ligjor”, thuhet në përgjigjet e Policisë.

KALLXO.com pati raportuar ekskluzivisht për këtë çështje.

Avokati i palëve të gjobitura, Edis Kuraja pati komentuar gjobën duke thënë se puthja nuk hyn në veprën kundërvajtëse siç kishin pretenduar policia.

Sipas avokatit, “me dispozitën e nenit 6 par.1 të Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike janë parashikuar tri forma të kryerjes së kësaj vepre kundërvajtëse: 1. Kushdo që kryen në vend publik ndonjë akt seksual, 2. Kur ekspozon ndonjë pjesë intime të trupit ose 3. Kur bën ndonjë sjellje të pahijshme seksuale që shkakton shqetësim për qytetarët”.

Në lidhje me këtë çështje KALLXO.com pati kontaktuar edhe ish-udhëheqësen e Gjykatës së Lartë për Kundërvajtje në Prishtinë dhe gjyqtaren e Gjykatës së Apelit, Biljana Rexhiq e cila kishte vlerësuar se puthja nuk konsiderohet shqetësim i qytetarëve nëse nuk ka pasur diçka më shumë, ashtu siç theksohet në Ligjin për Rendin dhe Qetësinë Publike më saktësisht në nenin 6 pika 2.

“Unë personalisht po mendoj se nuk është akt seksual një puthje, por nuk e di rastin konkret. Por puthja si puthje, nuk është akt seksual. Neni 6 ishte i qartë, kush kryen ndonjë akt seksual apo në mënyrë tjetër i shqetëson qytetarët, por nuk e di nëse puthja është shqetësim për qytetarët”, thotë Rexhiq për KALLXO.com.

Ajo thotë se Policia, në këtë rast zyrtarët policor, që kanë qenë në vendin e ngjarjes dhe kanë shqiptuar gjobën, nuk kanë pasur një kompetencë të tillë.

“Unë e pash edhe Ligjin e Rendit dhe Qetësisë Publike dhe për atë nen, dënimi është deri në 700 euro. Kompetenca e organit kundërvajtës siç është policia në këtë rast është 500 euro, këtu është defekti i parë, tash a është puthja akt seksual apo jo për mua nuk është. Unë po flas si Bilianë, puthja nuk është akt seksual a në fakt ai (polici) ndoshta është dashtë nëse ka mëndu ish dashtë me dërgu në gjykatë me vendos gjykata jo me shqiptu tiketë 450 euro kur është dënimi 700 euro, pra nuk e ka pas atë kompetencë”, thotë ish- gjyqtarja për kundërvajtje Rexhiq.