Policia amerikane - Foto: Ilustrim

Policia amerikane përballet me mungesa oficerësh, mes rritjes së krimeve

Qytetet amerikane po përballen me një shkallë në rritje të krimeve. Kjo prirje ka shkaktuar mbingarkesë në departamentet e policisë, të lodhura tashmë nga pandemia, largimet e punonjësve dhe pensionet e hershme. Forcat e zbatimit të ligjit po mundohen të rekrutojnë oficerë në një treg të kufizuar pune, ndërsa shqyrtojnë shërbimet që mund të ofrojnë dhe rolin që mund të luajnë në komunitete.

Prindërit e Brian Spaulding-ut e gjetën trupin e të birit në shtëpinë ku jetonte me disa shokë, pasi nuk kishte shkuar në punë dhe nuk përgjigjej në telefon.

Vrasja e tij vazhdon të mbetet një mister: Zoti Spaulding, me profesion ndihmës fizoterapist, pëlqente birrat dhe artet marciale, nuk merrte drogë, nuk ishte pjesëtar i ndonjë bande kriminale dhe jetonte afër shtëpisë ku lindi.

Prindërit e tij, tani në moshën 70 vjeçare, janë të tronditur. Por zbardhja e vrasjes, që ndodhi më 2017, duket gjithnjë e më e pamundur, pasi policia në Portland të Oregonit po përballet me një prirje të rritjes së sulmeve me armë dhe vrasjeve, në një periudhë kur departamenti po përpiqet të plotësojë mbi 100 vende të lira pune.

Detektivi i caktuar fillimisht për të hetuar vdekjen e Brian-it doli në pension më 2020. Detektivi i caktuar tani është i stërngarkuar me raste të reja, pas shtimit të vrasjeve me 207 për qind nga viti 2019.

“Është rast i pazgjidhur. Për shkak të shtimit të vrasjeve në Portland, detektivët i kanë duart e lidhura”, thotë George, babai i Brian Spaulding-ut.

Qytetet amerikane po përballen me rritje të shkallës së krimeve të dhunshme dhe mungesa të oficerëve të policisë.

Nga Filadelfia, në Portland, deri në Los Anxhelos, oficerët janë të dërrmuar nga pandemia dhe largimet ose pensionet e hershme pas vrasjes së afrikano-amerikanit George Floyd nga policia, ndërsa shkalla e vrasjeve dhe sulmet me armë po rriten.

Departamentet e zbatimit të ligjit po mundohen të rekrutojnë punonjës në një treg të kufizuar pune, ndërsa shqyrtojnë shërbimet që mund të ofrojnë dhe rolin, që mund të luajë policia në komunitete.

Shumë prej tyre nxorrën oficerët veteranë në rrugë për të patrulluar, ndërsa janë ndarë ekipet e specializuara për trafikun, narkotikët, aktivitetet kriminale dhe njësitë e qenve, në mënyrë që të arrijnë t’u përgjigjen thirrjeve.

Los Anxhelosi, që ka 650 oficerë më pak sesa para pandemisë, mbylli njësinë për abuzuesit e kafshëve, uli numrin e pjesëtarëve të njësive për trafikimin e qenieve njerëzore, narkotikëve dhe armëve dhe reduktoi ekipet që merren me të pastrehët me 80 për qind.

“Një numër i njësive tona të specializuara janë shpërbërë, ose janë zvogëluar ndjeshëm, si rezultat i reduktimit të fuqisë punëtore”, thotë Michel Moore, shef i departamentit të policisë në Los Anxhelos.

Por, vendimi i shpërbërjes u mirëprit nga disa, si aktivisti i pastrehë General Dogon.

“Policia e ka të pamundur krijimin e kontakteve me të pastrehët. Ata nuk do të duhej të ishin të përfshirë. Nuk mund të kriminalizosh njerëzit dhe pastaj të angazhohesh për strehimin e tyre”, thotë ai.

Në Filadelfia, policia i ka lëvizur punonjësit nga njësi të ndryshme për detyra afatshkurtëra, me qëllim të rritjes së patrullimeve.

Në Siatëll janë ndarë 2 milionë dollarë shpërblime për të joshur policët e rinj, mes një mungese të madhe oficerësh, që ka dëmtuar aftësitë ligj-zbatuese për të hetuar krimet e rënda.

Qyteti Portland së fundmi angazhoi “specialistë të mbështetjes publike”, të paarmatosur, që angazhohen për mbedhjen e raporteve në rastet e vjedhjes së automjeteve, ose biçikletave. Në San Diego, specialistë të psikiatrisë shkojnë në rastet që lidhen me shëndetin mendor, së bashku me oficerët.

“Kemi kaluar nga rastet e pazgjidhura në rastet e vrasjeve aktive. Ne nuk do të heqim dorë nga rastet e pazgjidhura. Por për momentin, duhet të përqëndrohemi tek seria e vrasjeve që kemi”, tha shefi i policisë së Portlandit, Chuck Lovell.

Nga viti 2020 policia në Portland ka humbur 237 oficerë. Ky qytet regjistroi 89 vrasje vitin që shkoi – gati tre herë më shumë se mesatarja historike – mbi 50 vrasje deri tani këtë vit dhe gati 800 raste sulmesh me armë, me 239 persona të plagosur.

Një raport i muajit të kaluar nga Partneriteti i Kalifornisë për Komunitete të Sigurta gjeti se 75 për qind e vrasjeve në vitin 2020 ishin kryer me armë zjarri.

Kjo ndjek një prirje kombëtare: shkalla e vrasjeve është rritur gati 30 për qind më 2020 ndërsa shkalla e sulmeve me 10 për qind, sipas një raporti të korrikut nga Qendra për Drejtësi “Brennan”.

Është e paqartë se çfarë e ka nxitur rritjen e krimeve të dhunshme, por dihet se COVID-19 krijoi probleme të mëdha sociale dhe ndikoi negativisht tek sisteme qeveritare dhe ato të mbështetjes së komuniteteve. Shitjet e armëve u rritën gjatë pandemisë.

Në Portland, dhuna me armë, që ishte e kufizuar kryesisht në lagjet historikisht të lëna pas dore, është përhapur në qendrën e qytetit dhe zonat më të pasura.

Në Gersham të Oregonit, në 10 muajt e fundit lanë punën 16 oficerë policie.

“Për shkak të shtimit të krimeve të dhunshme, ne jemi në gjendje të hetojmë vetëm vrasjet. Po përgjigjemi në mënyrë rutinore ndaj të shtënave me armë. Por nëse personi do të mbijetojë, ne nuk do ta ndjekim rastin”, thotë rreshteri i policisë, Travis Garrison, përgjegjës për oraret e oficerëve që patrullojnë rrugëve të qytetit me 115 mijë banorë.

Në shumë qytete, banorët shprehen të shqetësuar nga mungesa e veprimit të policisë.

“Njerëzit ndjejnë se askush nuk po u kushton vëmendje veprimeve të tyre dhe vijnë këtu duke lënë makina të braktisura dhe sende të tjera. Më vonë pasojnë krimet si shitja e drogës, të shtëna, vrasje, sepse ky duket si një vend ku mund të bësh të gjitha këto pa u ndëshkuar sepse nuk i intereson askujt”, thotë Kimblery Washington, aktiviste në Filadelfia.

Departamenti i policisë në këtë qytet ka 550 ofierë më pak sesa kishte para pandemisë, ndërsa 860 të tjerë janë në pushim mjekësor, ose me angazhime të kufizuara. Bashkia e qytetit njoftoi se ka mbi 30 mijë ankesa për makina të braktisura që presin veprimet e policisë./VOA