Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Polici suspendohet nga puna, pas një publikimi në Facebook për rajonin e Drenicës

Policia e Kosovës ka njoftuar se lidhur me rastin e publikimit/komentimit përmes rrjetit social Facebook nga një zyrtar policor për rajonin e Drenicës, janë ndërmarrë masat e menjëhershme dhe të njëjtën ditë më 18 maj është  suspenduar zyrtari policor, për të vazhduar me procedurat e mëtejme.

Sipas komunikatës së PK-së, zyrtari policor duhet të veprojë në pajtim me legjislacionin në fuqi, kodin e etikës dhe rregullat e sjelljes dhe kryerjes së detyrave policore.

“Për Policinë e Kosovës është i papranueshëm çfarëdo veprimi i cilit do zyrtarë policor i cili bie ndesh me parimet udhëzuese dhe udhëheqëse të Policisë,  integritetin personal dhe institucional, vlerat etike, vlerat e organizatës,  ndershmërinë  dhe përgjegjësinë  për shërbim ndaj publikut”, thuhet në komunikatë.

Policia e Kosovës shton se ndër vite ka ndërtuar imazh dhe bashkëpunim të shkëlqyeshëm me të gjithë qytetarët.

“Realizimi i detyrave dhe përgjegjësive policore karshi vendit dhe qytetarëve, përfshirë bashkëpunimin dhe partneritetin me komunitetin, mbetet qëllim primar i Policisë së Kosovës dhe në ç’do rast ku mund të paraqiten shkelje të procedurave dhe rregullave policore do të merren masat e nevojshme”, thuhet në njoftim.