Polici special dyshohet se e grushtoi një grua

Një banor i Mitrovicës ka rrëfyer në KALLXO.com se një polic i Njësisë Speciale të Kosovës ia ka goditur gruan.

Ankuesi ne fjalë (emri i njohur për redaksinë), ka kërkuar të mbetet anonim.

“Ngjarja ka ndodhur në afërsi të xhamisë së Haxhi Veselit, ku banojmë ne dhe polici i Kosovës. Gruaja ime ka shkuar të kërkojë nga polici që mos t’ma ngucin çikat e tua djalin, as ti mos ia ngreh veshtë se s’bën, e ai ka filluar me fyerje dhe e ka goditur me grushte, plus i ka thënë: Kam me ta mbyt djalin krejt”, rrëfen ankuesi.

Zëdhënësi i Policisë në Mitrovicë, Avni Zahiti, tha se me rastin është duke u marrë Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).

“Policia në Mitrovicë mbrëmë e ka trajtuar rastin e ankuesit në fjalë dhe pasi që nuk ka gjetur elemente të veprës penale më pas e ka njoftuar Inspektoratin Policor, i cili është duke u marrë me rastin.”, theksoi Zahiti për KALLXO.com.

IPK konfirmon se ka pranuar rastin, i cili është duke u trajtuar në procedurë të rregullt.

“Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë pranuar një ankesë lidhur me sjelljen e një zyrtari policor (i cili ishte jashtë detyrës zyrtare) në Mitrovicën e jugut. Me të pranuar informacionin-ankesën hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes duke kontaktuar edhe drejtpërdrejt me ankuesin. Lidhur me këtë rast, pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore është kontaktuar edhe prokurori kujdestar në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës kurse rasti tani është duke u hetuar në procedurë të rregullt”, thuhet ne përgjigjen e IPK-së për KALLXO.com.