Polici nga Suhareka shpëton jetën e punëtorit që u godit nga rryma elektrike

Një polic në Komunën e Suharekës ka shpëtuar jetën e një punëtori i cili ishte goditur nga rryma elektrike.

Kështu është bëhet e ditur në një njoftim të lëshuar nga Policia e Kosovës, në të cilin sqarohet se punëtori në fjalë dje rreth orës 14:00 në rrugën Xhavit Sylaj në Suharekë, derisa po bënte instalimin dhe shtrirjen e kabllos së internetit, dyshohet se është goditur nga rryma elektrike ku është varur pa ndjenja në rripin e sigurisë.

“Dy punëtorët tjerë ndihmës kanë kërkuar ndihmën e Policisë, ku patrulla policore që ishte në afërsi ka vepruar menjëherë dhe njëri nga zyrtarët është ngjitur lart në shtyllë duke e tërhequr poshtë punëtorin i cili ishte pa ndjenja”, thuhet në njoftimin e policisë.

Tutje në këtë njoftim në facebook, bëhet e ditur që punëtori i lënduar pas trajtimit në spitalin rajonal është liruar në shtëpi.

“Veprimet heroike dhe të menjëhershme të policit në Suharekë kanë bërë që punëtori të shpëtojë nga më e keqja apo nga vdekja dhe viktima pas tretmanit mjekësor në spitalin rajonal është liruar në shtëpi”, thuhet tutje në njoftim.