
'Polici i Lagjes' - largohet një Deponi ilegale në Mitrovicë të Veriut
Zyrtarët policorë të Stacionit Policor në Mitrovicë të Veriut, në bashkëpunim me banorë të lagjes, kanë identifikuar një deponi ilegale që kishte shqetësuar banorët e zonës.
Kështu bëhet e ditur në njoftimin e Policisë së Kosovës, më 15.01.2025, ku theksohet se iniciativa për ta larguar është marrë në kuadër të detyrave të përcaktuara për Policët e Lagjes, që përfshijnë identifikimin dhe adresimin e problemeve të komunitetit.
“Me angazhim dhe me bashkëpunim të ngushtë me komunitetin dhe institucionet relevante është ndërmarrë një aksion për pastrimin e kësaj Deponie. Ky veprim synon përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët dhe krijimin e një mjedisi më të pastër dhe më të sigurt.” – thuhet në njoftim.
Policia e Komunitetit apelon qytetarët që të raportojnë çdo shqetësim, që ndikon në cilësinë e jetesës në lagjet e tyre.
Në nëntor, KALLXO.com pati raportuar se secila pjesë në Komunat veriore do ta ketë policin e vet, për të raportuar çdo shqetësim.
Policia kanë bërë të ditur se në Zveçan, Zubin Potok, Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq do të ketë policë të Sektorit (që përbën disa lagje), ku banorët e Sektorit përkatës do të kenë mundësi të raportojnë secilin rast te Polici i tyre.