Polici i Kosovës suspendohet, në orar të punës shkoi në motel

Një zyrtar policor në Prizren është suspenduar nën dyshimet se ka bërë shkelje disiplinore pasi gjatë orarit të punës ka shkuar në një motel.

Inspektorati Policor i Kosovës e ka konfirmuar rastin për KALLXO.com.

“Inspektorati Policor i Kosovës është njoftuar mbrëmë në orët e pasdites nga Policia e Kosovës lidhur me këtë rast. Me të pranuar informacionin hetuesit e IPK-së kanë kontaktuar edhe me prokurorin kujdestar dhe në mungesë të elementeve të veprës penale rasti do të trajtohet nga Policia e Kosovës me dyshimin për shkelje disiplinore që bien ndesh me Kodin e Etikës të Policisë së Kosovës dhe udhëzimin administrativ për disiplinë”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Tutje IPK ka bërë të ditur se në lidhje me këtë rast, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar nga Drejtori Rajonal i PK-së për rajonin e Prizrenit.

Burime të KALLXO.com bëjnë të ditur se zyrtari policor gjatë orarit të punës ka shkuar në një motel.