Policia e Kosovës. Ilustrimi: Kallxo.com

Polici i Kosovës dyshohet se nën ndikim të alkoolit fjaloset me disa qytetarë

Një zyrtar policor në Gjakovë, është suspenduar pasi që i njëjti dyshohet se nën ndikim të alkoolit është fjalosur me disa qytetar.

Këtë e ka bërë të ditur për KALLXO.com, Zyra për Informim e Policisë së Rajonit të Gjakovës, duke shtuar edhe se ndaj të njëjtit polic janë duke u zhvilluar procedurat e mëtutjeshme.

Sipas sqarimit të policisë, dje rreth orës 18:20 është marrë një informacion për një rast fjalosje në mes të një zyrtari policor jashtë detyrës dhe disa qytetarëve, ndërsa dyshohej se zyrtari policor mund të jetë nën ndikim të alkoolit.

“Rastit i janë përgjigjur njësitet patrulluese dhe kanë shoqëruar për intervistim dy persona në cilësi të dëshmitarit dhe ankuesit si dhe vetë zyrtarin policor”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Rajonit të Gjakovës drejtuar KALLXO.com.

Tutje thuhet se meqënëse zyrtari policor ka rezultuar të jetë nën ndikim të alkoolit dhe në të tilla raste nuk aplikohet marrja në pyetje apo intervistimi, në konsultim me IPK-në është iniciuar rasti prishje e rendit dhe qetësisë publike, për të vazhduar me veprimet tjera hetimore.

“Zyrtari policor me vendim të Drejtorit Rajonal është suspenduar përkohësisht ndërsa lënda e kompletuar përcillet në IPK dhe Divizionin për Standarde Profesionale, përkatësisht Drejtorinë për Hetime të Brendshme për procedura të mëtutjeshme”, thuhet në përgjigjet e policisë drejtuar KALLXO.com.

Edhe pse rasti ishte inicuar si prishje e rendit dhe qetësisë publike, rasti i policit nuk është përfshirë në raportin ditor të policisë për 24 orët e fundit.

Policia në Gjakovë nuk ka dhënë sqarime se pse një rast të tillë nuk e kanë bashkëngjitur me njoftimet e tjera në raportin 24 orësh.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga ana e Inspektoratit Policor të Kosovës për këtë rast.

Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve dje në orët e mbrëmjes ka pranuar informacion nga Policia e Kosovës lidhur me rastin në fjalë . Me udhëzimin e IPK-së qytetarit në fjalë i është marrë një deklaratë – ankesë lidhur me sjelljet e zyrtarit policor (fjalosjen me qytetarin) i cili ka qenë jashtë detyrës zyrtare. Rasti nga PK do të përcillet në Inspektoratin Policor të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për KALLXO.com.