Polici i arrestuar u kap duke blerë kokainë tek një shitës në 'Lagje të Muhaxherëve'

Arbër Rexhepi, polic i ri i Kosovës është arrestuar pasi dyshohet se u kap në flagrancë duke blerë substancë narkotike.

Burime të KALLXO.com bëjnë me dije se i njëjti u arrestua duke blerë kokainë në Lagjen e Muhaxherëve.

Siç mësohet, polici ishte duke blerë kokainë në peshë 4 gram.

Rexhepi, është polic i cili ka diplomuar më 02.08.2024 dhe i takon gjeneratës së 60-të të Policisë së Kosovës.

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se tashmë i njëjti është suspenduar nga puna.

Sipas njoftimit të IPK-së, polici i arrestuar ka qenë jashtë detyrës zyrtare.

IPK-ja ka njoftuar se me të pranuar informacionin kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë qenë prezent edhe njësi të tjera policore.

“Në këtë rast janë arrestuar tre të dyshuar përfshirë edhe një zyrtar policor (jashtë detyrës zyrtare). Zyrtarit policor tashmë të arrestuar i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”. Si pjesë e procedurave administrative i njëjti edhe është suspenduar me rekomandim të IPK-së.”- thuhet në njoftim.

Sipas një komunikate të Policisë, arrestimet janë kryer gjatë një operacioni disa mujor të quajtur “Freeshopi” të Policisë në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Prishtinë.

Policia thotë se gjatë realizimit të planit taktik antidroga, i mbështetur edhe nga njësitet për reagim të shpejtë (NJRSH), tek personat e dyshuar gjatë kontrollit në trup dhe në lokacione të tyre ka gjetur sasi të substancave narkotike me peshë 370 gramë, një peshore, tri thika dhe para të gatshme në vlerë prej 4 mijë e 870 euro.

Detaje rreth arrestimit të policit të dyshuar që u kap me kokainë

(Shënim: Emri i policit të dyshuar është Arbër dhe jo Arbnor, ashtu siç është raportuar fillimisht. Koha e editimit: 11:54 – 30.10.2024).