Lajmi i Fundit Policia

Polici i arrestuar sot për drogë, recidivist i veprave penale

Një zyrtar policor gjatë ditës së sotme është arrestuar nën dyshimin se i njëjti është posedues i lëndëve narkotike.

Deri te arrestimi erdhi dyshimi pasi i njëjti fillimisht nuk ishte duke respektuar masën e arrestit shtëpiak për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Bazuar në këtë informacion IPK kishte kërkuar nga Policia e Kosovës që të verifikonte se a është duke e zbatuar masën e arrestit shtëpiak të lëshuar nga Gjykata Themelore Prishtinë, mirëpo zyrtarët policorë nuk kishin hasur në të dyshuarin e lartcekur në shtëpinë e tij e as në objektet përcjellëse.

Hetuesit e IPK-së më vonë janë njoftuar se i dyshuari është identifikuar dhe gjatë kontrollit i njëjti dyshohet se ka lëshuar në tokë një qese që dyshohet të jetë substancë narkotike e  llojit marihuanë.

Pas këtyre veprimeve, zyrtari policor është arrestuar dhe me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se ka kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 269 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

KALLXO.com mëson se polici me inicialet B. J., i cili punon në stacionin “Jugu” në Prishtinë ka disa raste për vepra të ndryshme penale kryesisht dhunë në familje si dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në mars të këtij viti i njëjti ishte arrestuar së bashku me shtatë polic të tjerë nën dyshimin për shitblerje të drogës, keqpërdorim të detyrës zyrtare, lëndim i lehtë trupor.