Foto: Ilustrim

Polici i arrestuar në Zubin Potok, ishte përgjegjës i dhomës ku mbaheshin dëshmitë e trazirave të marsit

Pak minuta më parë, Inspektorati Policor i Kosovës njoftoi se një zyrtar policor ishte arrestuar nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe manipulim me prova.

KALLXO.com mëson se bëhet fjalë për përgjegjësin e dhomës së dëshmive në Stacionin Policor të Zubin Potokut, ku vitin e kaluar dhjetë armë-pushkë, disa materiale të tjera dhe disa dokumentacione ishin ‘zhdukur’ nga ajo dhomë.

Në mars të vitit të kaluar, KALLXO.com kishte raportuar në lidhje me këtë rast.

KALLXO.com gjithashtu kishte raportuar se dëshmitë e zhdukura kanë qenë të konfiskuara në trazirat e marsit të vitit 2008 pak pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Sipas njoftimit të IPK-së, zyrtari policor ishte dorëzuar në stacion e më pas IPK e ka arrestuar.

Ai dyshohej se ishte jashtë Kosovës që nga viti i kaluar.

Polici është dërguar në mbajtje për 48 orë pas intervistimit.