Polici hetues dëshmon për rastin e tentim grabitjes në "Ria Capital"

Trim Vokshi, i akuzuari për grabitje në tentativë në “Ria Capital”, është ballafaquar sot me dëshminë e zyrtarit policor, A.I, në gjykatë.

Vokshi po akuzohet se me armë kishte tentuar ta grabisë institucionin financiar, ndërsa Sinan Kameri kishte bërë roje. Ky i fundit gjendet në arrati.

Para Gjykatës së Gjakovës, hetuesi policor tregoi se në kamerat e autolarjes ku punonte i akuzuari, paradite e kishin parë të akuzuarin duke punuar.

Rasti i tentim grabitjet, dyshohet të jetë kryer pasdite në prill të vitit 2019.

A.I tha se pronari i “Ria Capital”, Pajtim Hajdari i kishte dhënë informatën se Trim Vokshi ka tentuar të grabisë.

Dëshmitari tha se e kishin intervistuar të akuzuarin Vokshi në Qendrën e Paraburgimit në Pejë, me arsyetimin se kishin dyshime se ai e ka kryer veprën penale.

“Gjatë marrjes në pyetje, i akuzuari ka qenë i paqartë, ai njëherë e ka pranuar veprën e pastaj e ka mohuar atë, mëë pas ka thënë që ka frikë të tregojë sepse mund ta rrahin”- deklaroi zyrtari policor Agron Idrizi.

Sipas dëshmitarit, i akuzuari kishte mundësi të shkonte ta kryente veprën dhe të kthehej në punë me motoçikletë.

Sot, planifikohej të dëgjohej edhe zyrtari policor G.B, por i njëjti mungoi në seancë

Gjykata caktoi datën 11 mars, për vazhdimin e gjykimit.

Në muajin tetor në këtë rast ishte kundërshtuar aktakuza e Prokurorisë.

Trim Vokshi, ishte deklaruar i pafajshëm kundërdrejt aktakuzës së Prokurorisë.

Sipas aktakuzës, në prill të vitit 2019, në filialen “Ria Capital”, dyshohet se i akuzuari Trim Vokshi në bashkëkryerje me Sinan Kamerin kishin kryer veprën penale të grabitjes në tentativë.

Aktakuza shpjegon se Trim Vokshi, kishte qenë i maskuar dhe me armë në dorë ndërsa Sinan Kameri kishte bërë roje.

Trim Vokshi kishte hyrë brenda në objekt dhe personave Arbnore Sada, Pajtim Hajdari, Renata Mati-Emini ju drejtohet me fjalët “qitni leket”, e më pas kishte bërë alarmi dhe i njëjti kishte ikur me armë në dorë- thuhet në aktakuzë.