Polici haset në një kafeteri gjatë orës policore

 

Një zyrtar policor është pjesë e listës së personave të cilët kanë thyer rregullat e pandemisë COVID-19.

Orët e mbrëmjes së sotme policia kishte marrë një i formacion se në një lokal në Mitrovicë nuk po respektohej mbyllja e lokaleve pas orës 19:00, ashtu siç ka vendosur Qeveria e Kosovës për të parandaluar përhapjen e pandemisë COVID-19.

Me të marrë informacionin njësitë policore kanë shkuar në lokal ku edhe kanë gjetur se po punohej pas orës 19:00, ndërsa një numër i madh i personave do të gjobiten se nuk kanë respektuar masat kundër pandemisë.

Një nga personat që ka qenë në lokal është edhe një zyrtar policor.

KALLXO.com mëson se në lidhje me këtë rast është njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës.

Këta të fundit kanë filluar një plan operativ për të vëzhguar zyrtarët policor nëse të njëjtit po veprojnë sipas rregullave dhe detyrave të cilat u janë dhënë në lidhje me masat e vendosura kundër COVID-19.