Ilustrim: Kuletë (Arkivë) - Foto: KALLXO.com

Polici gjen kuletën me para dhe dokumente dhe ia kthen qytetarit

Një polic i Kosovës ka gjetur kuletën e një qytetari, në të cilën kishte të holla dhe dokumente personale, dhe ia ka kthyer pronarit.

Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur më 19 shkurt, derisa zyrtari policor G.B. ishte në detyrë në stacionin policor kufitar në Kullë, rreth orës 23:45.

Polici ishte në patrullë në këmbë në afërsi të një kompanie të sigurimeve dhe në rrugë ka vërejtur një kuletë.

Pas njoftimit të mbikëqyrësit të tij dhe gjatë verifikimit është konstatuar se në kuletë gjenden: letërnjoftimi i qytetarit me inicialet A.F., nga komuna e Skenderajt, leja e vozitjes dhe të holla  2 x 500 euro, 1×100 euro , 2×50 euro dhe 780 denarë të Maqedonisë së Veriut.

Zyrtarët policorë kanë ndërmarrë veprimet policore dhe kanë arritur të gjejnë dhe të bien në kontakt me pronarin i cili ka ardhur në stacionin policor kufitar Kullë dhe i janë dorëzuar kuleta me të hollat dhe dokumentet.

Sipas njoftimit, qytetari – pronari i kuletës, ka falënderuar Policinë e Kosovës dhe ka shprehur mirënjohje të larta për profesionalizimin dhe punën e kryer në shërbim të qytetarëve të vendit.