Polici dyshohet se në gjendje të dehur shkaktoi aksident, suspendohet nga puna

Një zyrtar i Policisë së Kosovës ka përfunduar në paraburgim dhe është suspenduar nga puna nën dyshimin se në gjendje të dehur ka shkaktuar një aksident trafiku në Novosellë të Pejës.

Inspektorati Policor i Kosovës ka thënë përmes një komunikate për media se ngjarja ka ndodhur të martën më 13.02.2024.

Sipas IPK-së, hetuesit kanë pranuar informacion nga Policia e Kosovës lidhur me këtë aksident trafiku më lëndime trupore në mes dy automjeteve civile.

Në këtë aksident ishte përfshirë edhe një zyrtar policor, i cili ishte jashtë detyrës zyrtare dhe me veturë private.

Në njoftim u tha se hetuesit e IPK-së me të pranuar informacionin kanë filluar të ndërmarrin veprimet fillestare hetimore në koordinim me prokurorin kujdestar.

Në vazhdën e veprimeve hetimore dhe pas alkool testit, polici dyshohet se ka kryer veprën penale “Ngasja në gjendje të paaftë apo të dehur”.

IPK tha se ka arrestuar zyrtarin policor ndaj të cilit u tha se prokurori ka lëshuar aktvendim për ndalim për 48 orë.

IPK shtoi se si pjesë e procedurës administrative hetimore zyrtari policor është suspenduar nga puna.

Sipas hetimeve fillestare, aksidenti është raportuar të ketë ndodhur në afërsi të terminalit doganor në Novosellë.

IPK tregoi se veprime të tjera do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me prokurorinë kompetente.