Polici dyshohet se me veturë personale goditi një këmbësore në Lipjan

Një aksident trafiku ka ndodhur para dy ditëve ne fshatin Torinë të Lipjanit.

Një këmbësore dyshohet se është goditur nga një veturë, e cila, siç mëson KALLXO.com, po vozitej nga një zyrtar policor.

Në raportin 24 orësh të ditës të Policisë së Kosovës, është njoftuar për aksidentin në fjalë që ka ndodhur më 21 shtator 2022, rreth orës 23:35.

“Raportohet se ka ndodhur një aksident trafiku në mes të një veture me targa vendore me drejtues të dyshuarin dhe këmbësores” – është thënë në njoftimin e Policisë.

Tutje, është treguar se si pasojë e aksidentit lëndime trupore ka pësuar viktima të cilës i është ofruar tretman mjekësor.

Në raportin policor është thënë se për rastin janë njoftuar kompetentët ku me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Inspektoratin Policor të Kosovës të cilët e kanë konfirmuar që rasti ka ndodhur.

Zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka ka treguar se i dyshuari është arrestuar dhe ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

“I njëjti është arrestuar me dyshimin se ka kryer veprën penale rrezikim i trafikut publik, me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, – ka thënë ai për KALLXO.com.