Polici dëshmon ndaj të akuzuarit në rastin e grabitjes me thes në kokë

Polici nga Kamenica Nazmi Hoti, dëshmoi sot në Gjykatën e Gjilanit lidhur me rastin e një grabitjeje që kishte ndodhur në vitin 2017.

Prokuroria po e akuzon Leotrim Maliqin së bashkë me  Naim Desivojcin dhe Ramiz Maliqin kishin grabitur Fatjon Selishtën në Kamenicë

Momentalisht për këtë rast po gjykohet vetëm Leotrim Maliqi pasi dy të tjerët janë në arrati.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit i kishin hedhur një thes në kokë për të ja pamundësuar shikimin, e pastaj që të tre e sulmojnë duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit dhe pasi e rrëzojnë  në dysheme ia marrin kuletën me të holla.

I akuzuari edhe në seancën e sotme u deklarua i pafajshëm.

Në anën tjetër, zyrtari policor Nazmi Hoti deklaroj se qëndron prapa raportit që e ka përpiluar për këtë rast.

“Konsideroj se i kemi ndërmarr të gjitha veprimet ligjore dhe kemi ardhur në përfundim që tani i akuzuari me veprimet e tij e ka kryer këtë vepër penale. Këtë e them pasi që edhe viktima e këtij rasti e ka identifikuar Leotrimin, gjithashtu i njëjti (i akuzuari), ka provuar të tregoj një alibi e cila nuk i ka funksionuar”, tha dëshmitari Hoti.

Tutje dëshmitari tha se viktima ka pasur shumë shqetësime pasi që përveç që ishte grabitur nga tani i akuzuari i njëjti edhe ishte rrahur nga ai dhe dy persona të tjerë të cilët gjinden në arrati.

“Viktima e ka identifikuar Leotrimin shumë mirë edhe me përshkrim edhe me emër dhe mbiemër, duke na sqaruar se Leotrimi me dy persona të tjerë ja kanë vendosur thesin në kokë dhe ja kanë marrur parat”, përfundoi dëshmitari Nazmi Hoti.

Prokurori i rastit, Shaban Spahiu tha se aktakuza në këtë rast do të vërtetohet ndërsa mbrojtësja e të akuzuarit, avokatja Donjeta Leka, përsëriti kërkesën për hedhje të aktakuzës

I akuzuari e mbështeti fjalën e avokates se tij duke mos deklaruar asgjë tjetër.

Seanca e sotme u shty për muajin shkurt 2020.