Ilustrim, Vetura të policisë së Serbisë. Foto: mup.rs

Policët serbë hetohen për këngën pro gjenocidit në Srebrenicë

Ministri i Brendshëm serb Aleksandar Vulin tha të mërkurën se një procedurë disiplinore ka nisur pasi disa policë u filmuan në një festë private në Priboj, në jugperëndim të Serbisë, duke festuar më një këngë që lavdëron gjenocidin e Srebrenicës dhe krimet e luftës e kryera në Kroaci.

“Ministria e Brendshme dënon ashpër një sjellje të tillë, pavarësisht faktit që është bërë kur nuk ishin në detyrë e as në uniformë, kjo nuk ndryshon asgjë për ne”, tha Vulin për Pink TV.

Video është regjistruar në festën e lindjes së djalit të një polici në Priboj, fillimisht u publikua në “Facebook” dhe më pas u raportua nga media lokale Sanxhakpress më 2 janar. Sanxhakpress identifikoi shtatë nga rreth 20 personat që ishin të pranishëm si oficerë policie në Priboj.

Kënga që po këndohej në videon e festës sugjeron që Novi Pazari, një qytet i popolluar kryesisht me boshnjakë në rajonin e Sanxhakut, duhet të bëhet një “Vokuvar i ri”- një referencë për qytetin kroat që u rrethua dhe shkatërrua nga serbët më 1991.

Kënga më pas sugjeron që qyteti Sjenica, i populluar kryesisht me boshnjakë, duhet të bëhet një “Srebrenicë e re”, referencë për vrasjet masive të boshnjakëve nga forcat serbe të Bosnjës në vitin 1995. Ajo gjithashtu i referohet poshtërimit seksual të një gruaje boshnjake nga luftëtarët çetnikë.

Polici Dragan Zekovic, i cili ka organizuar festën, ka kërkuar falje.

“Të dashur bashkëqytetarë, si dikush që jeton në një mjedis multietnik dhe ka shumë miq boshnjakë, dua t’ju kërkoj falje të gjithëve që u lënduan nga kënga që u dëgjua atë mbrëmje, e cila përcolli mesazh shumë të keq”, ka shkruar Zekovic në “Facebook”.

Në një përgjigje për incidentin, presidenti serb Aleksander Vuçiq tha se “Është detyra ime t’u them boshnjakëve në Serbi se ky është vendi i tyre, ashtu siç është i imi, dhe ata do të jenë të sigurt dhe të mbrojtur”.

Megjithatë, Vuçiq më pas u shfaq duke bërë një kundërakuzë duke thënë se kur donte të shkonte për të ngrënë në disa restorante në Novi Pazar dhe Sjenica, oficerët e tij të sigurisë e paralajmëruan atë se njerëzit atje këndonin këngë duke festuar komandantin boshnjak të kohës së luftës Naser Oriç, të cilin Serbia vazhdon të akuzojë për krime lufte kundër serbëve edhe pse ishte liruar.

Videoja e policëve nxiti reagim nga boshnjakët dhe grupet e të drejtave të njeriut në Serbi.

“Tensionet nacionaliste që po nxehen në Beograd dhe në Sanxhak, prodhojnë një ndjenjë frike, pasigurie dhe ankthi dhe videoja në të cilën policia këndon një këngë që bën thirrje për gjenocid hap plagë dhe trauma të vjetra dhe të reja”, tha OJQ Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut me bazë në Beograd./BalkanInsight.