Policët e dyshuar për kontrabandë e marrje ryshfeti heshtin para gjykatës

Njëzetë policët të cilët ishin përgjegjës për mbikëqyrjen e vijës kufitare në Zubin Potok, e të cilët nga Prokuroria Speciale po akuzohen se kanë lidhje me kontrabandim të mallrave ilegale në Kosovë, kanë shfrytëzuar të drejtën të mbrohen në heshtje sot në gjykim.

Në janar të vitit 2019, emisioni Drejtësia në Kosovë kishte transmetuar filmimet ku në dy pika të karburanteve dhe në një dyqan mallrash në Leposaviq, rrjeti i policëve pranonin deri në 200 euro për të mundësuar rrugë të lirë për kamionët e kontrabandës.

Këtu mund ta shihni videon e dorëzimit të parave.

Ekipi i KALLXO.com pas bashkëpunimit me qytetarë serbë kishte arritur që të faktonte kontrabandimin.

Në pamjet që kishte filmuar ekipi, shihet se si kontrabandistët kontaktonin eprorët dhe zyrtarët policorë të pikave kufitare që t’i sigurohej lëvizja e lirë për kontrabandistët me qëllim që të kontrabandimit të mallrave të ndryshme si kafshë, derivate, pije alkoolike dhe joalkoolike si dhe mallra ushqimore nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas.

Në link shihen kamionët duke qarkulluar.

Hulumtimi i emisionit “Drejtësia në Kosovë” i titulluar “Lidhja e Policisë me Kontrabandën” kishte arritur që  të dokumentoj se kontrabdandimi po ndodhte në ato zona, e tërë kjo ishte bërë përmes vendosjes së kamerave në pjesë të caktuara të udhëve ilegale që përdoreshin për kontrabandim.

Hulumtimin e emisionit mund ta ndiqni në këtë link.

Po ashtu, hulumtimi për kontrabandën u shfaqe në tri emisione, të dytin mund ta gjeni këtu dhe të tretin në këtë link.

Aktakuza fillimisht  ishte ngritur ndaj 33 personave  ku shumica prej tyre zyrtarëve policorë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje e ryshfetit, kontrabandë me mallra dhe armëmbajtje pa leje.

Gjykimi tani është duke vazhduar vetëm për 20 persona, pasi që procesi ishte veçuar për 11 të akuzuar, përderisa K.S. (i cili ka ndërruar jetë) dhe një tjetër kishte pranuar fajësinë për armëmbajtje.

Sipas Prokurorisë, 20 zyrtarët policorë kanë mundësuar që nëpërmjet rrugëve ilegale të bëhet kontrabandimi i mallrave të ndryshme si kafshë, derivate, pije alkoolike dhe joalkoolike si dhe mallra ushqimore nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas.

Pretendimet e prokurorisë janë se të dyshuarit kishin pranuar shuma të ndryshme të parave duke lejuar futjen e mallrave ilegale në territorin e Republikës së Kosovës, përmes rrugëve ilegale.

E lidhur me këto pretendime të prokurorisë speciale Zvezdan Spasojeviq, Bilana Nedelkoviq, Abdurrahim Haxhiq, Albert Maxhuni, Milija Milunoviq, Oliver Kuzmanoviq, Ramadan Mustafiq, Dejan Spasojeviq, Dragosh Kompiroviq, Jasna Durleviq, Zenel Bahtiri, Ali Pllana, Zoran Radunoviq, Reshat Kuçi, Vukadin Tomasheviq, Blagica Tomoviq, Lubisha Vujinoviq, Burim Merovci, Blagoje Lazoviq dhe Nebojsha Gogiq nuk thanë asnjë fjalë para gjykatës, përpos që shfrytëzojnë të drejtën e tyrë që të mrbohen në heshtje.

Kundërshtim nga ana e mbrojtjes se po bëhet trysni dhe presion mbi të akuzuarit nga ana e trupit gjykues, u shprehen disa nga mbrojtësit e të akuzuarve, në momentin kur trupi gjykues pyeste të akuzuarit se a qëndrojnë pranë deklaratave të më hershme që kishin dhënë në prokuroria dhe në polici.

Edhe pas kësaj, të akuzuarit pas konsultimeve me mbrojtësit e tyre, theksuan se shfrytëzojnë të drejtën të mbrohën në heshtje.

Në fund të seancës gjyqësore, trupi gjykues me kryetar Mentor Bajraktarin, Musa Konxheli dhe Kujtim Krasniqi në cilësinë e anëtarëve të trupit gjykues, njoftuan prokurorinë se do të i’u ipet kohë më e gjatë për të konsideruar nëse do të bëhet ndonjë ndryshim lidhur me veprat apo aspektin e kualifikimt ligjor të veprave për të akuzuarit.

E në rast se ka ndonjë  ndryshim, do të njoftohet gjykata, ku kjo e fundit do i njoftoj mbrojtësit e të akuzuarve.

Kështu që me këtë u përcaktua që fjala përfundimtare për këtë rast do të jepen me 24 korrik të këtij viti.

Prokuroria Speciale pretendon se 20 policët e stacionit policor për mbikëqyrjen e kufirit në Zubin Potok kanë kryer veprat penale të sipërpërmendura.

Në maj të vitit 2020 Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 33 personave, pjesa më e madhe e të cilëve pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Në seancën e mbajtur më 16 qershor 2020, 33 të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm, ndërsa dy të akuzuarit Krsto Subotiq, i cili ndërkohë ka vdekur, dhe Nysret Jashari kishin pranuar fajësinë vetëm për armëmbajtje pa leje.

Ndaj të akuzuarit Krsto Subotiq dhe Bozhidar Milosavleviq ka pushuar procedura penale për shkak se kanë vdekur.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, të akuzuarit Zvezdan Spasojeviq, Bilana Nedelkoviq, Milija Milunoviq, Albert Maxhuni dhe Abdurahim Haxhiq që nga viti 2017 deri në vitin 2019, në vazhdimësi me të akuzuarin tjetër Dejan Vukashinoviq, në cilësi të personave zyrtarë kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit pasuror.

Zvezdan Spasojeviq në cilësinë e komandantit të stacionit, Bilana Nedelkoviq në cilësinë e udhëheqëses së ndërrimit, si dhe Milija Milunoviq, Albert Maxhuni dhe Abdurrahim Haxhiq në cilësinë e policëve patrullues në kuadër të ndërrimit “A” të SPMK në Zubin Potok, derisa kanë qenë në detyrë zyrtare duke mbikëqyrur rrugët e brezit kufitar kanë lejuar dhe mundësuar që nëpërmjet rrugëve ilegale të bëhet kontrabandimi i mallrave të ndryshme si kafshë, derivate, pije alkoolike dhe joalkoolike si dhe mallra ushqimore nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas.

Sipas aktakuzës  të cilën e përfaqëson prokurori Burim Qerkini, Dragoslav Igrutinoviq, Boban Radojkoviq, Dalibor Gjukiq, Milan Radisavleviq, Milojko Radisavleviq, Zoran Vukmanoviq të akuzuar për marrje ryshfeti për kalimin e automjeteve me mallra kanë pranuar shuma të ndryshme të parave me qëllim të shmangies së kontrollit dhe tarifave doganore.

Prokuroria pretendon se për çdo automjet të akuzuarit kanë përfituar shumën prej 20 euro deri në 150 euro, të cilat janë ndarë edhe me policët e atyre ndërrimeve.

E gjithë kjo për t’i mundësuar vetes përfitim pasuror të kundërligjshëm, me ç’rast i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material buxhetit të Kosovës.

Të akuzuarit e tjerë Oliver Kuzmanoviq, udhëheqës i ndërrimit “B”, Z.R. udhëheqës i ndërrimit “C”, N.G. udhëheqës i ndërrimit “D” të stacionit të SPMK në Zubin Potok së bashku me Ramadan Mustafiqin, Dejan Spasojeviqin, Dragosh Kompiroviqin, Jasna Durleviqin, Zenel Bahtirin, Bozhidar Milosavleviqin, Ali Pllanën, Krsto Subotiqin, Reshat Kuçin, Vukadin Tomasheviqin, Blagica Tomoviqin, Lubisha Vujinoviqin, Burim Merovcin dhe Blagoje Llazoviq në cilësi të policëve patrullues në kuadër të këtyre ndërrimeve, po akuzohen nga Prokuroria Speciale për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe për marrja ryshfeti.

Tutje në aktakuzë thuhet se Milazim Januzi, Nezir Bilalli, Besnik Morina, Jeton Morina dhe Sabri Isufi kanë udhëtuar për në Serbi për t’i blerë kafshët, e sipas marrëveshjes i kanë dorëzuar te të akuzuarit Dragoslav Igrutinoviq dhe Boban Raojkoviq, të cilët duke bashkëpunuar me të akuzuarit e tjerë në cilësi të personave zyrtarë i kanë kontrabanduar në Kosovë përmes rrugëve ilegale.

Sipas Prokurorisë, për këto shërbime të akuzuarit nga tregtarët janë paguar në shumën prej 50 euro dhe 60 euro për një kafshë, ndërsa për bartjen e vetëm një kafshe kanë marrë deri në 35 euro.