
Policia e Kosovës largon dokumentet nga objekti i ish-Komunës paralele të Skënderajt në veri
Pasi e kontrolluan dhe mbyllën objektin që ishte shrytëzuar si komunë paralele e Skënderajt në Mitrovicë të Veriut, Policia e Kosovës ka larguar edhe dokumentet nga ky objekt, të hënën më 21.10.2024.
Ekipi i KALLXO.com që është duke qëndruar atje, ka raportuar nga vendi i ngjarjes se Arkivi i shtetit, dokumemtacionet e mbledhura nga ky objekt, është duke i dërguar në arkivin ndërrajonal në Mitrovicë të Jugut, aty ku bëhet klasifikimi i materialit.
Bashkë me Policinë e Kosovës është edhe stafi i ndërmarrjes “Trepça” të cilët janë duke i larguar këto dokumente nga objekti i ish-Komunës paralele të Skënderajt në Mitrovicë të Veriut.
Ky objekt ishte në pronësi të Trepçës, por se tashmë menaxhohet nga AKP-ja.
Nga fotografitë që ka siguruar ekipi i KALLXO.com nga vendi i ngjarjes, shihen njësitet policore teksa e bartin materialin jashtë objektit të cilët thonë se këtë material do ta dorëzojnë te organet përgjegjëse.
Ky institucion ilegal serb kishte selinë në Mitrovicë të Veriut.
Kështu është deklaruar për KALLXO.com zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë- Veriu të Policisë së Kosovës, Veton Elshani.
Elshani ka deklaruar se pas verifikimeve policore në terren, kanë marrë informacion se Komuna paralele e Skenderajt është aktive dhe më pas, në konsultim më prokurorin, kanë hyrë në ndërtesë dhe tashmë e kanë mbyllur.
“Kemi konsultu prokurorin i cili e ka rastin e komunave paralele në veri dhe në koordinim me të kemi hyrë në këtë ndërtesë dhe tashmë e kemi mbyllur”- ka thënë Elshani.
Më pas Policia e Kosovës kishte njoftuar se kanë zhvilluar kontrolle në këtë objekt.
Sipas njoftimit të Policisë, objekti ku ishte duke funksionuar komuna paralele e Skenderajt është nën pronësi të Trepçës. Në bazë të kontrolleve në objekt, Policia thotë se ka vërtetuar që janë lëshuar dokumente ilegale të falsifikuara nga ky objekt.
Policia e Kosovës e kishte intervistuar përgjegjësin e kësaj komune paralele, më 17.10.2024.Sipas shefit të Operativës Rajonale për Mitrovicën e Veriut, Petrit Fejza, përgjegjësi i komunës paralele të Skenderajt është mbrojtur në heshtje.
“Gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar dokumente dhe pajisje të cilat vërtetojnë se në këtë objekt ilegal janë lëshuar dokumente ilegale të falsifikuara” – njofton Policia, më 17.10.2024.Rasti vazhdon të hetohet, ndërsa është inicuar – falsifikim i dokumenteve.
Kjo nuk është komuna e vetme paralele që Policia e Kosovës ka mbyllur. Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi kishte njoftuar më 30.08.2024, se janë mbyllur institucionet paralele ilegale të vetëqeverisjes lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cënuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës.Si rrjedhojë, ministri Krasniqi kishte bërë të ditur se këto janë komunat paralele që nuk do të operojnë më: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.Sipas ministrit Krasniqi, pesë komunat paralele që kishte përmendur se nuk do të operojnë më, do t’i bashkohen 7 komunave të tjera paralele të cilat u mbyllën në Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash.