Polemika për veriun në mes deputetëve Muja dhe Tahiri

Çështja e veriut është bërë temë diskutimi në seancën plenare të mbajtur në Kuvendin e Kosovës.

Ishte deputeti Abelard Tahiri, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës ai që fillimisht tha se Qeveria Kurti dhe Albin Kurti janë duke e trajtuar në mënyrë të veçantë veriun.

Sipas tij kjo është arsyeja se pse kryeministri Albin Kurti nuk merr pjesë në këtë seancë.

“Kurti nuk merr pjesë se nuk ka arsyetim për veriun”, ka thënë ai.

Për këtë ka pasur përgjigje deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Armend Muja.

Ai ka thënë se është e vërtetë që kryeministri Kurti ka një agjendë për veriun.

“Po, zotëri Kurti e ka një agjendë, është e vërtetë që e ka një agjendë për veriun”, ka thënë Muja duke vazhduar se agjenda e tij është e kësaj natyre “Nuk mbahet referendum serb në Kosovë dhe nuk mbahet, reciprocitet për targa – reciprocitet për targa, luftohet krimi në veri. Kjo është agjenda e zotëri Kurtit”.

Tutje ai ka thënë se qe nga ardhja e Albin Kurti në pushtet nuk ka pasur më diskutime për ndarjen e Kosovës.

“Dhe e fundit shumë mirë që diskutimet për ndarjen e Kosovës kanë mbaru në momentin kur zotëri Kurti ka ardhë në pushtet”, është shprehur Muja.

Deklarimeve të deputetit Muja i është kundërpërgjigjur prapë Abelard Tahiri.

Ai nuk është pajtuar me atë se çfarë ka thënë Muja. Sipas Tahirit, nuk ka reciprocitet për targa.

“Armend nuk ka reciprocitet për targa, unë po ta rikujtoj ty që Republika e Kosovës nuk lëshon targa për komunat në Republikën e Serbisë, ata lëshojnë për neve. Pra ju imagjinoni çfarë lëshimi keni ba. Ne nuk lëshojmë targa për Nish, ata lëshojnë për Mitrovicë, për Zveçan, për Zubin Potok, për Leposaviq”, është shprehur Tahiri.