Seanca e Kuvendit të Kosovës më 3 qershor 2021, Foto: KALLXO.com

Polemika në Kuvend për listën e propozuar për anëtarët e bordit të OShP-së

Qeveria e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje janë kritikuar nga partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës për mosshfaqje të qëndrimit nëse e përkrahin ose jo listën e propozuar në legjislativ për anëtarët e bordit të Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Në seancë u bë e ditur se kandidatët e propozuar nga organi përzgjedhës i pavarur për bordin e OShP-së janë: Ardian Behra 32.3 pikë, Hasim Krasniqi 28.7 pikë, Faruk Rexhaj 28 pikë, Adem Spahiu me 26.3 pikë dhe Ruzhdi Morina me 26 pikë.

Paraprakisht, shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se Qeveria e Kosovës duhet të japë qëndrim rreth emrave të propozuar për bordin e OShP-së.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Ndërkaq, Besnik Tahiri nga AAK theksoi se Qeveria po qëndron e heshtur ashtu si edhe grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe siç shtoi ai, dilemat në këtë temë duhet të deklarohen përmes votimit.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se u takon deputetëve që me vendimmarrje të vendosin nëse e përkrahin këtë listë ose jo.

Ai tha se OShP-ja është shumë e rëndësishme pasi që shërben si gjykatë e tenderëve.

 

“Nuk është procesi vetëm propozimi i Qeverisë, pra Qeveria e ka bërë filtrin e parë dhe propozimin e parë, kurse filtrin e dytë sipas ligjit e bën Kuvendi. Dhe këtu e kemi një listë të personave që është bërë fillimisht filtrimi nga një nivel në ekzekutiv dhe i dyti nga trupa e Kuvendit. U takon deputetëve që të përzgjedhin dhe të përcaktohen se kjo listë finale a i plotëson kushtet dhe kriteret apo jo”, tha ai.

Murati shtoi se duhet të sigurohen nëse këta persona e kanë integritetin e nevojshëm.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se është legjitime kundërshtimi i shumicës në Kuvend ndaj një liste të caktuar.

“Kam thënë se dhe kjo ka qenë disponim i të gjithëve, me konstatu që funksionimi i këtij trupi është shumë i rëndësishëm për Kosovën. Në anën tjetër mendoj që po ashtu pozicionin i një subjekti politik dhe plotësisht legjitim në këtë rast, mund të jetë edhe kundërshtimi i një liste me të cilën ata nuk pajtohen”, tha ai.

Tutje Arben Gashi nga LDK tha se “i bie që grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk po e përkrah propozimin e Qeverisë. Veç këtë deshtëm me konstatu në seancë”.

Deklarimet e partisë në pushtet u kritikuan edhe nga AAK-ja.

Ndërkaq, shefja e deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se është pasaktësi të kërkohet qëndrimi i Qeverisë në këtë pikë, kur procesi është shtyrë sipas ligjit.