Polemika mes Tahirit dhe Gashit për shkarkimet e drejtorëve të Policisë dhe kontrabandën në veri

Në debatin ‘Kallxo Përnime’ po diskutohet për sistemin e drejtësisë dhe luftimin e korrupsionit. Ky debat është duke u zhvilluar me polemika mes ish-minstrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi, në lidhje me veriun e Kosovës.

Tahiri ia përmendi ish-deputetit të LDK-së, Shkëmb Manaj, shkarkimin e ish-drejtorit të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ndërsa Gashi i tha Tahirit se edhe ju e keni bërë një gjë të tillë me një drejtor në veriun e Kosovës.

“Nuk është që nuk e keni bërë ju me shkarkimin e Reshat Maliqit kur e keni shkarku brenda natës”, tha Gashi.

Për këtë reagoi Tahiri, i cili tha se janë dy çështje të ndryshme.

“Dallojnë sepse po flasim për aksionin në veri, flasim për diçka një ndërhyjrje të shtetit të Kosovës që ka pasur kontrabandë dhe krim dhe i cili ka refuzuar dërgimin e policisë në atë pjesë dhe një njëri një drejtor i policisë që ta refuzon. Drejtor i Policisë vartës i kryeministrit me marrë urdhra prej dikujt tjetër”, tha Tahiri.

 

Ndërsa, Gashi tha se aksioni në veri për kontrabandë nuk ka qenë i planifikuar mirë.

“Çka ndodhi atë ditë, na u vra një polic, aksion i cili ka qenë i paplanifikuar, krejt e dinë që ka qenë i paplanifikuar mirë. Me pasë qenë i mirë do të kishte qenë si ky përpara që u plagos polici po s’u vra. Ka raporte që thuhet se s’ka pasë komunikim, s’ka pasë zinxhir komandues”, ia ktheu Gashi.

Ndërsa, Tahiri tha se e ka ndalur kontrabandën në veri në kohën sa ka qenë ai ministër.

“Kjo është e tepërt. Nga koha që ka lulëzu brenda kontrabanda dhe njerëzit që kanë qenë të fshehur dhe të ndjekur nga Interpoli dhe unë si ministër kam ekstradu kriminelë që janë kapur në veri dhe i kam dërguar në Mal të Zi”, tha ish-ministri.

Kurse, Kreshnik Gashi tha se kontrabanda në veri ende ekziston.

“Nëse flasim për veriun, kontrabanda është e njëjtë. As sot, as atëherë kontrabanda nuk është ndalur. Sot, qe po shkojmë tash dhe bashkë kemi me i gjetë kamionët në kufi dhe rrugët opsionale.. S’është ndalë në asnjë moment”, tha më tej Gashi.

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” ka transmetuar një seri të hulumtimeve për kontrabandën në Veri të Kosovës.