Polemika mes ministres Haxhiu dhe deputetit Tahiri për Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe për noterët

Në Kuvendin e Kosovës po diskutohet shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).

Diskutimet rreth këtij Projektligji kanë ngjallur debat mes ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.

Deputeti Tahiri ka kërkuar nga ministrja Haxhiu që të tërheqë Projektligjin sepse, sipas tij, është degradim dhe ka për qëllim prezencën politike në KPK.

“Në emër të grupit parlamentar, mos mu bo horë më shumë tërheke këtë Projektligj sepse s’po di, as amatorizëm nuk mundesh me i thënë. Me degradu deri në këtë nivel,  me mendu me pasë një Këshill Prokurorial deri në këtë nivel, besoj nuk ka degradim më të madh. Edhe ne si vend dalim keq me partnerët ndërkombëtarë që na mbikëqyrin në këtë proces. Ky proces nuk ka të bëjë me fuqizimin e organit të akuzës, nuk ka të bëjë fare me reformë. Atë që ky proces synon është prezenca e fuqishme të politikës në Këshill Prokurorial”, ka deklaruar Tahiri.

Ai gjithashtu tha se ky Projektligj është në kundërshtim  me Strategjinë e rishikimit funksional dhe me Kushtetutën e Kosovës.

“Për mos me humb kohë, tërhiqe këtë Projektligj sepse është në kundërshtim me Strategjinë e rishikimit funksional, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe bën mirë mos me vazhdu më tutje”, shtoi Tahiri.

Në replikën e saj ndaj deputetit Tahiri, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se ai duhet të flasë vetëm për vete.

“Deputeti Tahiri po flet në emër të Gjykatës Kushtetuese dhe në emër të partnerëve ndërkombëtar. Zotëri Tahiri ti mundesh më folë veç për grupin tënd parlamentar, bile-bile as për ata gjithë jo. Më së miri fol veç për veti!”, ka thënë Haxhiu.

Ajo po ashtu theksoi kohën kur deputeti Tahiri ka qenë ministër i Drejtësisë duke thënë se ai mbahet mend vetëm për dy gjëra.

“Më vjen keq që po të dëgjoj duke folë kështu sepse ke qenë ministër i Drejtësisë  dhe mbahesh mend veç për dy gjëra: për atë të noterisë, mos t’ia vazhdoj atë se çka konsideron shoqëria për të dhe për mbylljen e Institutit për Krimet e Luftës. Ti këtu vjen edhe më thu: “ti ke dështu”, “do të dështosh”, “je vonu”. Veç mbështeti iniciativat që vijnë nga Qeveria jonë – aq na duhet neve”, tha Haxhiu.

Për çështjen e noterëve në replikë ndaj ministres Haxhiu, deputeti Abelard Tahiri tha se qytetarët e Kosovës po paguajnë me marrë termin te noteri sepse, sipas tij, 15 qytete kanë mbetur pa noterë.

“Qytetarët e Kosovës paguajnë pare për me marrë termin tek noteri sepse aq shumë ka radhë sa që 15 qytete kanë mbetë pa noterë. Imagjino në çfarë gjendje e ke pru dhe në fund në gjykatë t’kam mujtë, jam shumë krenar me të”, tha Tahiri.

Tahiri gjithashtu ka kërkuar nga ministrja që të flasë për ligjin që e ka sjellë në Kuvend “e jo për tokë e për qiell”.

“Në mungesë të argumenteve, të fakteve me prezantu Ligjin për Këshillin Prokurorial, me dalë tash me folë këtu për tokë e për qiell, për noterë e për përmbarues, për avokat e për tjetër, kjo tregon nivelin e paaftësisë tënde. Ke ardhë më fole për Këshillin Prokurorial, po del e po folë për noterë për avokatë e përmbarues. Lej ato se s’janë në rend dite. Fol për Ligjin që e ke pru. Kjo tregon se çfarë paaftësie keni ju si ministre dhe stafi i juaj”, ka thënë Tahiri.

“Lej noterët aty të kam mujtë në procese tjera, të kam mujtë kështu që edhe këtu besoj që kemi me ta rrëzu dhe ke me kthy në pikën zero edhe vazhdojmë me bo naj punë të mirë për këtë vend”, shtoi ai.

Për çështjen e noterëve, ministrja Haxhiu drejtuar deputetit Tahiri, tha se nuk do i bëjë noterë ata që ai po mendon.

“Sa i përket procesit të noterisë, as mendja mos të shkon që kam me ti bo noterë ata që ti po mendon, ata që ti ke ndërhy me i vlerësu më së larti me pikë. Jo Abelard Tahiri sa të jem unë ministre e Drejtësisë, kurrë jo! Kurrë nuk kanë me u bo noterë njerëzit në bazë të lidhjeve nepotiste, familjare e të tjera”, ka thënë Haxhiu.

Ndërkaq për partnerët ndërkombëtarë, ministrja ka thënë se deputeti Tahiri nuk ka legjitimitet që të flasë në emër të tyre.

“Sa i përket partnerëve ndërkombëtarë, zotohem para jush, po të mos kishim mbështetjen për këtë Projektligj do të reagonin njësoj siç kanë reaguar për kandidatin për kryeprokuror të shtetit. Nuk ke legjitimitet dhe nuk ke të drejtë me folë në emër të partnerëve ndërkombëtarë”, tha ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë ka paraqitur para deputetëve të Kuvendit Projektligjin për KPK-në.

Ajo ka thënë se me miratimin e plotësim ndryshimeve të reja, ky Këshill do të ketë përbërje të re.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës do të ketë një përbërje të re, me prokurorë dhe joprokurorë. Por, proporcioni, apo dallimi në numra në mes të anëtarëve prokurorë dhe atyre joprokurorë do të jetë një. Fillimisht përbërja e re do të ketë dy anëtarë nga prokuroritë themelore, qoftë nga Prokuroria e Apelit apo Speciale dhe Kryeprokurorin e Shtetit sipas detyrës zyrtare. Ashtu siç e thonë Kushtetuta, Kuvendi pas këtij plotësim ndryshimi ka të drejtë të zgjedhë dy anëtarë joprokurorë, ndërsa risia kryesore është caktimi i një antari të ri nga Avokati i Populllit në konsultim me organizatat civile”, ka shpjeguar Haxhiu.

Ajo ka kritikuar përbërjen aktuale të Këshillit Prokurorial, për të cilin ajo tha se ka qenë i ndikuar nga grupet e interesit dhe politika.

“Këshilli Prokurorial ka qenë i ndikuar nga grupet e interesit, por edhe politika. Të gjithë jemi dëshmitarë se përkundër skandaleve që kemi parë publikisht nuk janë ndërmarrë veprime serioze për adresimin e tyre”, ka theksuar Haxhiu.

Haxhiu shtoi se për këtë Projektligj ka marrë dy opinione pozitive nga Komisioni i Venecias.