Komisioni për Buxhet dhe Financa - shqyrtimi i raportit të punës tetor-dhjetor 2021

Polemika mes deputetit Shala dhe kryesuesit të komisionit Muja, për dhënien e fjalës

Gjatë mbledhjes së Komisioni për Buxhet në të cilin u shqyrtua raporti i shpenzimeve të RTK-së për periudhën tetor-dhjetor për vitin 2021, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala u ‘fjalos’ me kryesuesin e Komisionit Armend Muja, duke i thënë se nuk mund t’ia ndal fjalën.

Kjo polemikë u zhvillua, pasi u.d. drejtori i RTK-së Shkumbin Ahmetxhekaj, iu drejtua deputetit Shala se në RTK ka programe edukative, arsimore e kulturore.

“Në këtë fazë po raportojmë për raport 3 mujor. Nuk është e vërtetë që në RTK nuk ka programe edukative, arsimore kulturore ka shumë por ndoshta janë në termine që nuk keni mujt me i shiku”, tha ai duke shtuar se “të gjitha këto programe janë prodhim i RTK-së”, tha ai.

Ferat Shala, u kundërpërgjigj se nuk ka thënë se nuk ka emisione.

Por në këtë ndërhyri kryesuesi Armend Muja, i cili kërkoi nga deputeti Shala ta kërkoj fjalën.

“Ekziston një far rendi”, tha Muja.

Ndërsa deputeti Shala tha se nuk mund t’ia ndalu fjalën.

“Nuk mundesh me ma ndalu fjalën kryetari është veç menaxher i situatës, s’mundesh me ma ndal. E tha një të pa vërtetë që nuk e thash unë… 30 ose 40 minuta e pate fjalën nuk të ndërpreva pata durim me të dëgju. Edhe ne jemi pjesë e këtij komisioni 30 pyetje i ke bo çka po mendon që jemi ne këtu”, tha ai.

Ndërsa Muja tha se “secilit deputet i jepet fjala e njëjta e drejtë t`u ka dhënë edhe ty”.

3,151,934 euro ka shpenzuar RTK në tremujorin tetor-dhjetor 2021