Smajl Latifi. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Polemika mes asamblistit të LVV-së dhe Smajl Latifit për arsimin

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, është i ftuari i radhës në emisionin “Jeta në Komunë”.

Latifi u pyet nga Jeta Xharra se pse i është shpallur konkursi mësimdhënësit të Gjeografisë në shkollën “Isa Boletini”, Gazmend Hajdës.

Por, ai tha se ai nuk është larguar, por se Hajdës i ka skaduar kontrata.

“Ky ka aplikuar në konkurs, s’e ka fituar të drejtën me fitu përsëri vendin e punës dhe ka qenë edhe atëherë në VV. DKA e ka punësuar edhe atëherë dhe tash i ka përfunduar kontrata. Edhe ky ka konkurru prapë, nuk mundet me thënë dikush se dikënd e largoj prej punës. Ky ka bërë ankesë në Inspektorat dhe vendimi thotë se është i pabazuar”, tha Latifi.

Për këtë reagoi asamblisti i LVV-së, Ali Zhuniqi, i cili tha se në Rahovec ka shumë mësimdhënës me kontrata të skaduara, por nuk ua ka shpall konkursin.

“S’ka ndonjë rast tjetër sepse vetëm Gazit iu ka shpallë konkursi, ndërsa 100 arsimtarët të tjerë i ka kontrata me të tilla”, tha ai.

Ndërsa, i pari i Rahovecit tha se nuk ka njohuri se sa mësimdhënësve u është shpallur konkursi i vendit të punës.

“Për besë nuk po e di ndonjë rast tjetër”, tha Latifi.

Mësimdhënësi Gazmend Hajda ishte ankuar tek ‘Zëri i qytetarëve’ se atij i është bërë e padrejtë nga ana e Komunës.

“Pas dy vitesh punë mua krejt padrejtësisht ma shpallin konkursin, pa paralajmërim, pa vendim, vetëm kur e shoh konkursin në web-faqen e Komunës. Nuk ka pasur arsye pse me shpallë konkursin, unë nuk kam pasë ankesa prej nxënësve, nuk kam pasur ankesa prej mësimdhënësve, jam i kualifikuar, jam i licencuar dhe kam trajnime”, kishte thënë ai.

Hajda pretendon se ishte diskriminuar pasi, sipas tij, konkursi është hapur vetëm për të.

“Pyetja ime për kryetarin e Komunës është pse vetëm mua ma shpallin konkursin e punës edhe e dyta është le të ma gjen vetëm një rast që pas dy vitesh e largon dikënd prej punës”, ka deklaruar Hajda.

 

Sonte në debatin “Jeta në Komunë” përballë Jeta Xharrës, është kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.

Në këtë debat, Latifi do të ballafaqohet me premtimet e bëra në fushatën e vitit 2017, punët e përfunduara si dhe ato të papërfunduara deri tani, për tri vite të qeverisjes.

Tek pyetjet e ‘zërit të qytetarëve’, Latifi do të arsyetohet për mos funksionalizimin e hemodializës, mungesës së ujit e kanalizimit, me problemet e vreshtarëve të Rahovecit si dhe me problemet e mësimdhënësve të larguar nga puna e po ashtu edhe me muzeun e zbrazët të këtij qyteti.

Përballë Latifit nga ana e opozitës është vetëm asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Zhuniqi. Pjesëmarrës në debat janë edhe asamblisti i AAK-së, Ali Morina dhe nënkryetari i komunës, Fatmir Iska.