Polemika diplomatike mes ambasadorit gjerman dhe Petkoviqit për zbatimin e marrëveshjeve

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka vazhduar polemikën e tij me kryenegociatorin serb, Petar Pekoviq, i cili e kishte pyetur se përse Gjermania nuk ka bërë asgjë për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Rohde i ka thënë Petkoviqit se ka kërkuar zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të Brukselit.

“I nderuar zoti Petkoviq, po, të gjitha marrëveshjet e Brukselit kanë nevojë për zbatim. Për informacionin tuaj, unë kam deklaruar disa herë se krijimi Asociacionit duhet të trajtohet, vetëm së fundmi dhe publikisht në televizion në “Slobodno Srpski” dhe “Kallxo Pernime”, takime bilaterale me qeverinë në baza të rregullta”, ka shkruar ai në twitter.

Polmika e Rohdes me kryenegociatorin serb kishte filluar pasi që diplomati gjerman pas takimit me presidenten Vjosa Osmani kishte deklaruar se vendimet e qeverisë së Kosovës për reciprocitetin janë legjitime.

“Mirë të takohem me Vjosa Osmanin sot dhe të diskutojmë zhvillimet aktuale përfshirë, vendimin për shtyrjen e zbatimit të vendimeve për targat dhe dokumentet hyrëse-dalëse për datën 1 shtator në koordinim me ShBA-të dhe BE-në. Theksova se vendimet janë legjitime/plotësisht në përputhje me marrëveshjet Brukselit”, ka shkruar ai në Twitter më 3 gusht.

Kryenegociatori serb, Petar Pekoviq kishte reaguar një ditë më vonë, më 4 gusht, duke thënë se ambasadori Rohde nuk po e tregon të vërtetën.

“Përfaqësuesi i Gjermanisë në Prishtinë nuk po thotë të vërtetën! Si ndodh që shkelja e marrëveshjes dhe lëvizjet e dhunshme të jenë legjitime”, ka shkruar Petkoviq në Twitter.

Rohde të hënën ka takuar presidenten Vjosa Osmani.

Të dielën, para se të hynte në fuqi vendimi për pajisje me dokumentin për hyrje-dalje të qytetarëve serb për në Kosovë, grupe të organizuara bllokuan rrugën në pjesën veriore të Kosovës, në Jarinje dhe Bërnjak.

Ndërsa Qeveria e Kosovës pas takimit me ambasadorin amerikan Jeff Hoveiner vendosi që të shtyjë zbatimin e dy vendimeve të reciprocitetit deri më 1 shtator 2022, nga momenti i heqjes së të gjitha barrikadave dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.

Ambasadori Hoveiner ka deklaruar se të dyja këto masa janë plotësisht në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe ishin në koordinim me komunitetin ndërkombëtar.