Podujevë, zyrtarët komunalë neglizhuan regjistrimin e pasurive

Podujeva është njëra nga komunat e cila nuk e ka regjistruar pasurinë në vazhdimësi. Për këtë, Auditori ka gjetur vërjtje në dy raportet e fundit.

Nënkryetarja e Komunës së Podujevës, Marigonë Lahu, tha se arsyeja e mosregjistrimit të pronave është neglizhuar nga personat përgjegjës.

“Edhe Komuna e Podujevës bën pjesë në grupin e komunave problematike me regjistrimin e pasurive, sidomos te e-Pasuria. Këto probleme janë më të vjetra dhe Auditori i ka dhënë edhe në raportet e kaluara. Arsyeja kryesore që ka ardhë deri këtu është neglizhenca e stafit që ka qenë përgjegjës për regjistrimin e pasurive, ndoshta edhe mos njohuria e mjaftueshme”, tha ajo në “Kallxo Përnime”.

Luhu tha se me rekomandimet e ZKA-së kanë rritur numrin e personalit që merret me regjistrim të pasurisë.

“Ne, me pranimin e raportit të Auditorit veçse i kemi marrë masat dhe tani e kemi rritë numrin e personave që do të merren me regjistrimin e pasurive nën vlerën 1 mijë euro”, deklaroi ajo.

Marigonë Lahu, nënkryetare e Komunës së Podujevës

E personat të cilët e kanë neglizhuar regjistrimin e pasurisë do të ndëshkohen. Për këtë nënkryetarja e Podujevës tha se do të formohen edhe komisionet disiplinore.

“Sa i përket regjistrimit të pasurive, në vlerën totale 810 mijë euro gjatë 2020-ës, edhe kjo ka ardhur për shkak të neglizhencës së punëtorëve. Komuna do të marrë masa për shkak se ne tashmë i kemi identifikuar personat përgjegjës të këtyre gabimeve”, tha ajo.

“Do të formohen komisione disiplinore për këta persona”, deklaroi Lahu.