Podujevë, tre fshatra futen në karantinë

Dje në Komunën e Podujevës është shënuar rasti i parë me coronavirus.

E menjëherë pas konfirmimit, Komuna e Podujevës ka marrë masat e para për parandalimin e infektimit.

Me anë të një postimi në Facebook, nënkryetari i Komunës së Podujevës ka njoftuar për hapat që janë ndërmarr deri më tani.

Sipas tij, me vendim të Qeverisë së Kosovës, tre fshatra të Podujevës nga mbrëmë janë futur në karantinë.

“Pas konfirmimit të rastit të infektimit të një qytetari që është nga fshati Dumnicë, menjëherë është intervenuar dhe është bërë dezinfektimi i shtëpisë ku ka qëndruar presoni i infektuar, kurse familja e tij është vizituar nga mjekët dhe po mbahet e izoluar”, thuhet në njoftim.

“Njëkohësisht, në fshatrat Dumincë e Poshtme , Dumnicë e Epërme dhe Llaushë, me vendimin e Qeverisë nga mbrëmë është aplikuar masa e karantinës, e cila po zbatohet”, ka deklaruar Nexhmi Rudari.

Për veç këtyre, Komuna e Podujevës ka marrë edhe disa masa të tjera.

Ky është postimi i plotë i Rudarit:

Sot në takimin e Komisionit komunal për veprime dhe masa parandaluese për mbrojtje nga COVID 19, shqyrtuam situatën pas konfirmimit të rastit të parë të infektuar me Coronavirus.

Pas konfirmimit të rastit të infektimit të një qytetari që është nga fshati Dumnicë, menjëherë është intervenuar dhe është bërë dezinfektimi i shtëpisë ku ka qëndruar presoni i infektuar, kurse familja e tij është vizituar nga mjekët dhe po mbahet e izoluar.

Njëkohësisht, në fshatrat Dumincë e Poshtme , Dumnicë e Epërme dhe Llaushë, me vendimin e Qeverisë nga mbrëmë është aplikuar masa e karantinës, e cila po zbatohet.

Gjithashtu, në përputhje me vendimin Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe rekomandimet e IKSHPK, për ndërmarrjen e masave preventive, po vazhdon dezinfektimi i hapësirave publike dhe pajisja e institucioneve shëndetësore me material mbrojtës. Do të bëhet furnizimi me mjete mbrojtëse dhe dezinfektuese edhe i institucioneve të tjera dhe ndërmarrjeve shërbyese-publike.

Komuna me kohë ka ndërmarr masat për furnizim me material dhe mjete mbrojtëse për institucionet shëndetësore dhe pikën e kontrollit në Merdar. Për shkak të gjendjes së krijuar kërkohet edhe nga Ministria e Shëndetësisë që të bëjë furnizimin me material dhe mjete mbrojtëse.

Kemi kërkuar nga mjekët e pensionuar, por edhe mjekët e rinj të papunë, që të paraqiten në mënyrë vullnetare në QKMF për të ndihmuar në tejkalimin e situatës epidemiologjike.

Përveç mbylljes së institucioneve arsimore dhe apelit për reduktimin e lëvizjeve të qytetarëve, Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Podujevë na informoi se kanë pezulluar të gjitha ritualet e faljes së namazit nëpër xhami.
Me vendimin e KBI-së është pezulluar edhe e pamja në familjet që kanë raste të vdekje.
Gjithashtu, gjatë periudhës së pandemisë, kërkohet që në rastet e vdekjeve, ceremonitë e varrimit të kryhen me një prani sa më të vogël të qytetarëve.

Inspektorët komunalë vazhdimisht janë në terren dhe po përcjellin zbatimin e vendimit të qeverisë, për mbylljen dyqaneve dhe lokaleve hoteliere.

Nga qytetarët kërkohet t’i shmangin lëvizjet e panevojshme, të marrin masat mbrojtëse si dhe të ruajnë qetësinë publike, kurse rastet e dyshuara të vetizolohen dhe të kërkojnë asistencë profesionale shëndetësore.

Kujde PO, Panik JO