Podujevë, sonte pritet të vizitohet familja e të prekurit me coronavirus

Pas Vitisë, Klinës e Malishevës, një rast me coronavirus është paraqitur edhe në komunën e Podujevës.

Në një intervistë për KALLXO.com, nënkryetari i kësaj komune, Nexhmi Rudari  ka thënë se sonte do të vizitohet familja e të prekurit me virusin corona.

Komuna e Podujevës ka formuar një shtab emergjent pas rastit të parë të konfirmuar me coronavirus.

“Jemi duke e përgatitur ekipin për të shkuar në familjen, të qytetarit llapjan i cili rezultoi me test pozitiv për coronavirusin. Ne do t’i dalim në ndihmë familjes dhe do të marrim informata të sakta për të parë se me kë ka pasur kontakte. Nuk e dimë ende nga cila pikë doganore ka hyrë, thuhet nga Aeroporti por duhet ta shohim se me çfarë transporti ka ardhur nga atje deri këtu në Podujevë”, ka thënë Rudari.

“Nesër në ora 08:30 e kemi mbledhjen e shtabit për të parë si do të veprojmë. Mund të ndodhë që do të mbyllet kufiri në Merdar, po për këtë vendos Qeveria”, tha tutje Rudari për KALLXO.com.

Rudari tha se sonte do të vizitohet familja e të prekurit me virusin corona dhe menjëherë do të vlerësohen hapat që do të ndërmerren.

“Punën e parë që do ta bëjmë sonte është, do ta vizitojmë familjen. Ne tashmë e kemi marrë informacionin se bëhet fjalë për një banor të fshatit Dumnicë, do të kontaktojmë me familjarët dhe do të shohim se më kë ka kontaktuar ai që prej kur është ardhur nga Italia, për këtë janë mjeket specialistë”, ka thënë ai.

“E shfrytëzoj rastin që të apeloj te institucionet qendrore dhe të Ministria e Shëndetësisë, jo vetëm personali mjekësor që të furnizohet me pajisje mbrojtje por edhe për policinë dhe të ndahen mjete shtesë pasi ne jemi komunë kufitare dhe mund të ketë edhe kalime ilegale. Nesër presim rekomandime shtesë nga Qeveria, ne nuk do t’i lëmë qytetarët pa furnizime, nuk do t’i mbyllim ato marketet, furrat e barnatoret”, deklaroi Nexhmi Rudari.

Intervistë: Nexhmi Rudari

Intervistë: Ragip Begaj dhe Nexhmi Rudari

Publiée par Kallxo.com sur Dimanche 15 mars 2020