Podujevë, rinumërimi ndryshon listën e asamblistëve të LDK-së

Lista e kandidatëve të Kuvendit Komunal të Podujevës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka ndryshuar pas rinumërimit të votave.

Më 8 nëntor të këtij viti Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte marrë vendim për rinumërimin e të gjitha fletëvotimeve për kandidatët për Kuvend Komunal në Podujevë.

Pas rinumërimit, KALLXO.com ka krahasuar listat e kandidatëve në rezultatet e para dhe ato pas rinumërimit.

Në rezultatet e para të publikuara nga KQZ në listën e kandidatëve të zgjedhur figuronin Fatmir Gashi dhe Qëndresë Haliti.

Mirëpo, pas rinumërimit të votave, Fatmir Gashi dhe Qëndresë Haliti nuk kanë siguruar ulëse në Kuvendin Komunal të Podujevës, pasi kishte dalë që kandidatët Ekrem Rrahmani dhe Tringë Sfishta kanë marrë më shuëm vota.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe Adnan Zymeri, asamblist i mandatit të kaluar dhe asamblist që i ka fituar votat edhe për një mandate për Kuvendin Komunal.

“Prej rezultateve të para preliminare që kanë dal kanë qenë pjesë e listës Fatmiri dhe Qëndresa, e pas rinumërimit të kutive pas vendimit të PZAP-së tash ka ndryshuar lista dhe është pjesë e Kuvendit Ekremi dhe Tringa”, tha Zymeri.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të pyetur nëse ky institucion ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit të hetoj rastin, por deri më tani nuk ka pranuar përgjigje.

Në anën tjetër, Laura Pula, koordinatore nacionale e zgjedhjeve nga Prokuroria e Shtetit ka thënë për KALLXO.com se lidhur me rastin në fjalë Prokuroria nuk ka pranuar ndonjë informacion nga KQZ.

“Ne sapo biseduam me KQZ edhe për rastet e tjera por ata nuk na njoftuan asgjë për këtë rast, kryesuesi i KQZ tha se momentalisht nuk kemi asnjë rast për ju”, tha Pula.