Fadil Zymeri, drejtori i shkollës "Nuhi Gashi" në fshatin Bradash të Komunës së Podujevës, Foto: KALLXO.com

Podujevë, pikon çatia në qendër të votimit (VIDEO)

Derisa qytetarët po e shfrytëzojnë të drejtën e votës, çatia e shkollës “Nuhi Gashi” në fshatin Bradash të Komunës së Podujevës po pikon për shkak të borës që ka rënë ditëve të fundit.

Drejtori i shkollës, i cili është edhe menaxher i kësaj qendre të votimit, Fadil Zymeri ka thënë për KALLXO.com se shkolla është ndërtuar në vitin 1972 dhe në të nuk është punuar qe një kohë të gjatë.

“I kemi bërë disa renovime por e ka një hapësirë kogja të gjerë dhe mbrëmë ka rënë borë, bora ka hyrë në objektin e shkollës. Tash prej nxehtësisë po hyjnë disa pika”, ka deklaruar Zymeri.

Zymeri ka thënë se në fshatin Bradash asnjëherë nuk ka pasur ndonjë incident ose problem gjatë procesit të votimit.

“Besoj që edhe tani e tutje do të kryhet me një sukses të mirë”, ka shtuar ai.

Në qendrën e votimit “Nuhi Gashi” kanë të drejtë vote 2,289 votues.

Në këtë qendër të votimit ka votuar edhe nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu.