Podujevë, PDK akuzon Nexhmi Rudarin për abuzim me buxhetin, fton Prokurorinë për hetime

Kryetari i Degës së PDK-së në Podujevë, njëkohësisht, kandidati për kryetar të kësaj komune, Naim Fetahu, përmes një konference për media ka denoncuar abuzimet dhe keqëpërdorimet e mëdha të buxhetit në Komunën e Podujevës.

Gjatë kësaj konference, Fetahu ka përmendur një sër skandalesh dhe shkeljesh të cilat sipas tij ushtruesi i detyrës së kryetarit, Nexhmi Rudari ka bërë në këtë komunë.

Me këtë rast, Fetahu ka ftuar prokurorinë e shtetit që të urgjentisht të hetoj këto skandale që po ndodhin këtu.

“Komuna e Podujevës për riparimin e rrugëve të asfaltuara kishte lidhur kontratë kornizë më 28.06.2018 me afat deri më 28.10.2019. Edhe pse kjo kontratë kishte skaduar komuna kishte vazhduar me porositje të shërbimeve duke tejkaluar dy pozicione në vlerë 4,477€.”, ka thënë Fetahu.

Më tej, ai ka përmendur edhe disa shkelje të tjera.

“Me të gjitha këto shkelje, të cilat i ka vërtetuar edhe Raporti i Auditorit, Nexhmi Rudari vetëm ka vazhduar një qeverisje të keqe 20 vjeçare të LDK-së. Për më tepër, ai dëshmuar se nuk është i gatshëm dhe as i kualifikuar për të udhëhequr me komunën.”, ka thën Fetahu.

Në fund, kandidati për kryetar të Podujevës, Naim Fetahu, i ka bërë thirrje prokurorisë që të hetojë të gjitha keqpërdorimet me buxhetin e komunës që janë bërë muajve të fundit.

“Ftoj urgjentisht edhe prokurorinë e shtetit që të nisë hetimet në lidhje me abuzimet e buxhetit që janë bërë në komunën tonë, përfshirë gjatë periudhës së rëndë me pandeminë.”, ka përfunduar ai.

Asambleisti i PDK-së në komunën e Podujevës,  Rafet Llapashtica, ka përmendur disa prej shkeljeve më të mëdha që ka bërë komuna e Podujevës.

“Një palë doreza të thjeshta, komuna i ka blerë me 14 euro. Ndërsa, një palë rroba njëpërdorimëshe me 28 euro. Poashtu, autoambulancën që komunat tjera e kanë paguar me 33 mijë euro, komuna e Podujevës e ka blerë me 60 mijë euro, dyfishin e çmimit.”, ka thënë Llapashtica.