Podujevë - I vdes gruaja nga COVID-19, nuk e humb të drejtën për të votuar

Një qytetarë nga Podujeva ka dalë që ta shfrytëzojë të drejtën për të votuar, edhe pse të njëjtiti kishte vdekur bashkëshortja e tij mëngjesin e sotëm.

“Sot në ora 09:00 më ka vdekur gruaja në spital prej COVID-it. Por unë një obligim që të vijë dhe të votojë, ishalla që të bëhet ndryshimi”, deklaroi qytetari nga Podujeva, Sylejman Bllaca.

“I vdekuri me të vdekur, i gjalli me të gjallë. Ne të gjallët do ta çojmë përpara këtë vend”, deklaroi ai.

Qytetarët e dy komunave të Kosovës, Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut, do të votojnë sot nga ora 07:00 për të zgjedhur kryetarët përkatës të komunave të tyre.

110 mijë e 694 qytetarë do të kenë mundësinë të votojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen sot në Podujevë dhe në Mitrovicë të Veriut.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 87 mijë e 381 votues do të jenë në Podujevë ndërsa 23 mijë e 313 votues në Mitrovicë të Veriut.

Numri i qendrave të votimit në Podujevë do të jetë 45 ndërsa ai i vendvotimeve do të jetë 115.Sipas KQZ, në Mitrovicë Veriore, numri Qendrave të Votimit do të jetë 7 ndërsa do të jenë 27 vendvotime.

Për qytetin e Podujevës do të garojnë: Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës, Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kurse në zgjedhjet për Mitrovicën Veriore garojnë katër kandidatë: Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje, Dushan Milunoviq si kandidat i pavarur,  Milan Radojeviq nga Lista Serbe dhe Florent Azemi nga Partia Demokratike e Kosovës.

Ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpallur 29 nëntorin si datë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar në Komunën e Podujevës dhe për Kryetar në Komunën e Mitrovicës së Veriut.