Podujevë: Dyshimet të forta se një punëtore punon pa kontratë në QKMF

Në komunën e Podujevës ekipi i KALLXO.com ka zbuluar një situatë të pazakontë. Në rrethana të dyshimta një pastruese është duke marrë pagën, e punën po e kryen një punëtore tjetër.

Dëshmitarë i kanë thënë KALLXO.com se për disa muaj M.R. punon si pastruese në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë. Pas hulumtimit është konstatuar se emri i saj nuk figuron në listën e pagave të këtij institucioni. Pra, nuk ka një kontratë pune e as nuk është hapur konkurs për atë pozitë.

Sipas raportimit të pranuar në kushte anonime në KALLXO.com ajo është duke punuar në vend të M.B., emri i së cilës figuron në atë listë.

Drejtori i qendrës Ymer Llugaliu, i pyetur për të sqaruar çështjen, nuk pranoi të fliste para kamerës. Por prapa saj tha se nuk di se kush është gruaja që ka veshur uniformën e pastrueses së QKMF-së që ai e drejton dhe tha se emri i saj nuk është në listën e pagave.

Fotografi të siguruara nga KALLXO.com shpërfaqin punonjësen me uniformë duke kryer punët.

Llugaliu tha se përgjegjëse për stafin teknik është kryeinfermierja. E kryeinfermierja e kësaj QKMF-je, Adelina Stublla ka rreth një muaj që tani është drejtoreshë e Shëndetësisë në Podujevë.

Ajo tha se nuk ka asnjë informacion lidhur me këtë person dhe se këtë çështje duhet ta bisedojmë me drejtorin Llugaliu.

“Unë nuk po e njoh, nuk kam kurrëfarë informate për këtë punë. Sa i përket punës së stafit të QKMF-së, tash merret Ymeri, Dr. Ymeri, që është drejtor dhe përgjegjës për QKMF-në, kështu që për çka do që keni, merruni vesh me drejtorin e QKMF-së.” – tha Stublla për KALLXO.com

Për disa ditë ekipi i KALLXO.com ka monitoruar këtë qendër dhe ka kontaktuar edhe me punëtorë të tjerë aty, të cilët kanë konfirmuar që M.R. punon aty.

Drejtori i QKMF-së, Ymer Llugaliu i sfiduar me këto informacione nuk pranoi sërish të fliste në kamerë.

“Ku e di unë more. Nashta ka ardhë me i ndihmu ndokujt, tybe n’pe di. Se këtu tash jemi tu renovu, a po e sheh që jemi tu renovu?” – është përgjigja e drejtorit, prapa kameres.

Të dhëna të siguruara nga KALLXO.com tregojnë që kjo pastruese punon në vend të një punëtoreje tjetër e cila figuron në listën e pagave.

Llugaliu po ashtu konfirmoi se M.B. në vend të së cilës pretendohet që po punon M.R., figuron në listën e pagave.

Edhe Stublla konfirmoi që M.B. ka punuar aty sa ka qenë ajo kryeinfermiere.

“Po, M. B. ka qenë si pastruese në kohën kur unë isha (kryeinfermiere).” – tha ajo.

Drejtori u pyet edhe nëse ka një listë, ku nënshkruhen punëtorët, e ai për këtë tha se janë duke e rregulluar programin ku regjistrohen punëtorët çdo ditë dhe sapo të rregullohet do të na e dërgojë.

Megjithatë, një listë të tillë ende nuk e kemi pranuar, pasi që drejtori ka thënë se ende nuk është rregulluar dhe nuk e ka pranuar as ai.

KALLXO.com ka vizituar sërish drejtoreshën Stublla, mirëpo ajo nuk ka qenë në objektin e komunës, ndërkaq përmes telefonit, ajo ka qenë e paqasshme.

Zonja M.R. ka qenë e paarritshme, pasi prej raportimit ajo nuk ka dalë më në punë në QKMF.

Ymer Llugaliu ka dhënë dorëheqje nga posti i tij më 02.11.2022, para publikimit të këtij artikulli.