Foto: Ilustrim

Podujevë, arrestohet nën dyshimin se falsifikonte testet për COVID-19 në një lokal fotokopjesh

Policia e Kosovës njofton se është arrestuar një i dyshuar si cili në një fotokopje lëshonte teste të falsifikuara COVID-19.

“Sektori për Hetime Financiare, përmes rrugëve operative ka pranuar një informacion se në qytetin e Podujevës në një lokal i cili shërben për tregti me pakicë dhe si fotokopje, dyshohej se janë duke lëshuar teste për Covid-19 të falsifikuara”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Sipas komunikatës në lokacionin e të dyshuarit janë gjetur fleta të formatit A4 në të cilat dyshohet se janë falsifikuar testet.

“Policia përmes zyrtarëve relevant ka filluar verifikimet e nevojshme dhe me aprovim të organeve të drejtësisë ka realizuar bastisje në lokacionin ku dyshohej për falsifikim të testeve, ku ka hasur dhe sekuestruar disa fletë të formatit A4 me teste për Covid-19, me llogo të disa laboratorëve në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Tutje Policia njofton se si dëshmi janë sekuestruar edhe një shtëpizë kompjuteri dhe një telefon celular të cilët do të dërgohen në ekzaminim me qëllim të gjetjes së dëshmive shtesë lidhur me ketë rast.

“I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe pas intervistimit me aktvendim të prokurorit të shtetit, i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve””, thuhet tutje aty.

Sipas Policisë, hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar për grumbullimin e provave dhe dëshmive tjera shtesë, mbi dyshimet e përfshirjes së mundshme në këto aktivitete të kundërligjshme edhe të personave të tjerë.