Podujevë, 4 anëtarë të një familjeje dalin pozitivë me COVID-19

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar sonte se nga 173 mostrat e testuara për COVID-19, 27 kanë rezultuar pozitivë.

Prej këtyre rasteve 5 janë nga komuna e Podujevës.

Nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, ka dhënë detaje për këto raste.

“Katër raste janë nga një familje e fshatit Dobërdol dhe burimi i infeksionit është kontakti me një person nga Komuna e Prishtinës, kurse rasti i pestë është një qytetar i Podujevës, i cili dy ditë më parë ka ardhur nga Austria”, ka njoftuar Rudari përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook.

Sipas tij, gjendje shëndetësore e tyre është stabile.

Këto janë rastet e para me COVID-19 në këtë komunë, pas shërimit të të infektuarve të fundit të para një muaji e gjysmë.