Podujeva mori 200 mijë euro nga një projekti e i dha për një tjetër, pa aprovim nga Kuvendi Komunal

Komuna e Podujevës pagoi 200 mijë euro nga fondet e projektit “Ndërtimi dhe Rindërtimi i Kanalizimit Fekal dhe Atmosferik nga fshati Bajqincë deri në Lupq”, për projektin “Zgjerimi dhe Rregullimi i Shtratit të Lumit Llap në Qytet”.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se kjo pagesë u krye pa aprovimin nga Kuvendi Komunal.

Vlera e projektit ishte 804 mijë e 871 euro.

“Kjo ka ndodh pasi që ishte fundi i vitit dhe projekti i kanalizimit nuk ishte iniciuar me kohë, atëherë ishte vendosur nga menaxhmenti që nga fondet e këtij projekti të bëhen pagesa për projektin tjetër pa kërkuar aprovim nga Kuvendi Komunal” – thuhet mes tjerash në raportin e auditimit për Komunën e Podujevës për vitin 2023.

ZKA thotë se pagesa e një projekti tjetër nga fondet e projektit tjetër pa miratimin e Kuvendit Komunal mund të ndikoj në dështimin e projektit të cilit iu morën mjetet.

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi rekomandohet që të sigurojë respektimin e procedurave për menaxhimin e fondeve, duke siguruar që çdo transferim i fondeve nga një projekt në tjetrin të miratohet paraprakisht nga Kuvendi Komunal.

Komuna e Podujevës i pajtua me këtë gjetje të ZKA-së.

Kjo Komunë ka pranuar opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare vjetore. Ky opinion jepet kur janë zbuluar keqdeklarime dhe/ose mospajtueshmëri, qoftë një i vetëm apo një grumbull, që janë të barabartë me ose e tejkalojnë nivelin e materialitetit për pasqyrat financiare si tërësi; ose kur keqdeklarimi dhe/ose mospajtueshmëria e zbuluar brenda një klase të caktuar transaksionesh është i barabartë me ose tejkalon nivelin e materialitetit më të ulët të vendosur për këtë klasë të transaksioneve. Formulohet gjithashtu nëse ka kufizim të fushëveprimit, i cili mund të mos shpie në shmangie të keq-deklarimit(eve) material(e).

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi i ka dërguar ZKA-së letër konfirmimi për pranimin e raportit të auditimit me ç’rast është pajtuar me gjetjet dhe i ka thënë ZKA-së që brenda 30 ditëve do të dorëzoj një plan të veprimit për zbatimin e rekomandimeve.

Raporti i auditimit për vitin 2022 përmbante 14 rekomandime për Komunën e Podujevës, nga to pesë janë zbatuar, një është i mbyllur dhe tetë nuk janë zbatuar.

Raporti i plotë i Auditimit për Komunën e Podujevës mund ta qasni në këtë VEGËZ.