
Arma e sekuestruar e grupit terrorist serb, Foto: Xhelal Sveçla/ Facebook
Po vazhdon edhe sot kontrolli në Banjskë për mjete e armë të dyshimta të grupit terrorist
Njësi të ndryshme të Policisë së Kosovës, duke shtuar këtu edhe njësive e qenve K-9, po vazhdojnë kontrollat e detajuara në malet e Banjskës së Zveçanit pas sulmit terrorist të 24 shtatorit.
Kjo pasi që vazhdimisht po gjenden e po sekuestrohen mjete e armë të ndryshme që dyshohet që grupi terrorist i la pas gjatë arratisjes së tyre për në Serbi pas sulmit terrorist që kryen të dielën e 24 shtatorit.
Veton Elshani zëvendësdrejtor i policisë në veri tha në një bisedë shkurt për KALLXO.com, se ekipet edhe sot janë në terren duke kryer kontrolla nëpër vende të ndryshme të Basnjkës.
Siç mëson KALLXO.com, tashmë është zgjeruar perimetri edhe nëpër malet përreth të Banjskës meqenëse në vazhdimësi janë gjetur dhe sekuestruar materiale të ndryshme që ndërlidhen me sulmin terrorist të 24 shtatorit.
Dje policia njoftoi për sekuestrimin e disa armëve, karikatorëve, pjesë të uniformës së grupit terrorist, antiplumba, radiolidhje, zollë e mjete të tjera.
Këto armë e pajisje në bazë të fotografive që ka publikuar policia shihet se janë gjetur në pjesën malore të fshatit Banjskë në Zveçan.
Javën e kaluar më saktë më 24 shtator një sulm terrorist u regjistrua në Banjskë të Komunës së Zveçanit.
Një rreshter policie u vra e një tjetër u plagos nga ky sulm ndërsa policia u sulmua disa herë radhasi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit më pas u arratisën drejtë Serbisë.
Në ditën kritike policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda, dhe një armatim të gjerë luftarak të cilët grupi i posedonte.
Tre nga grupi terrorist janë vrarë e disa janë arrestuar.
Ish- nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radojiçiq ka marrë përgjegjësinë e sulmit ndërsa ka dhënë dorëheqje nga posti në partinë që i përkiste.
Radojiçiq tha se të gjithë skenarin e kishte bërë vet dhe askujt nuk i kishte treguar. Këto pretendime i njëjti i bëri përmes një letre të cilën e lexoi të premten pasdite avokati i tij i autorizuar.
Sulmin terrorist të 24 shtatorit e dënuan ashpër edhe ndërkombëtarët por edhe vendorët.
Banjska, fshati ku burrat qetësisht pinë birra e fëmijët flasin me specialët