Po ndiqet penalisht nën dyshimin për kërcënim, gjyqtari i Gjilanit 'me pas kërcënu e kisha vra'

Gjyqtari i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Veli Kryeziu po dyshohet se ka kërcënuar me armë një person.

Ngjarja ka ndodhur më 28 maj të këtij viti ndërsa deri më tani është mbajtur vetëm brenda organeve të rendit dhe të drejtësisë.

Kryeziu në një bisedë telefonike me KALLXO.com, nuk pranoi të ketë kërcënuar dikë, ani pse ndaj tij tashmë ka nisur procedurë ligjore në prokurori.

“Nuk kam ide. Me pas kërcënu me armë unë e kisha vra, (nuk kuptohet mirë gjatë bisedës) nuk bëj budallakia. Nuk jap koment, ditën e mirë”, tha shkurt, gjyqtari Kryeziu.

KALLXO.com ka kontaktuar me zyrën për informim të Policisë së Rajonit të Gjilanit të cilët kanë njoftuar se rasti është raportuar në fund të muajit maj.

Të njëjtit sipas përgjigjeve për KALLXO.com, kanë treguar se janë intervistuar dy persona, një ankues dhe një dëshmitar.

Në përgjigje nuk përmendet se në rast fillimisht ka pasur ndonjë të dyshuar ndërsa të njëjtit kanë thënë se cilësimi i përket prokurorisë së shtetit.

Edhe policia por edhe Prokuroria Themelore në Ferizaj, në përgjigjet e tyre tregojnë se sherri i kësaj ngjarje ishte një mosmarrëveshje në komunikacion.

Zyra për informim e Prokurorisë Themelore në Ferizaj në disa përgjigje për KALLXO.com ka konfirmuar se gjyqtari në Gjykatën e Gjilanit, Veli Kryeziu po dyshohet për kanosje.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj ka pranuar në kompetencë, raportin e Njësisë së Hetimeve Rajonale të Gjilanit, nën pretendimin se gjyqtari ka kryer veprën penale kanosje”, thuhet në përgjigjet e Prokurorisë në Ferizaj për KALLXO.com.

Burime të KALLXO.com kanë treguar se gjyqtari Kryeziu armën e kishte me leje ndërsa dyshohet se me të ka kanosur personin tjetër.

Në lidhje me të njëjtin gjyqtar KALLXO.com pati raportuar edhe më herët. Kjo pasi që Veli Kryeziu, i cili është gjyqtar në Gjykatën e Gjilanit në një fotografi të cilën e kishte siguruar nga KALLXO.com, duket se nuk i bënte përshtypje shumë shpallja e një vendimi, procedurë e cila komunikohet “në emër të popullit”.

Në emër të popullit me duar në xhepa